Janë bërë të shpeshta rastet kur zyrtarë apo ish-zyrtarë të arrestuar apo dënuar, kanë përdorur probleme shëndetësore, të vetat apo të familjarëve, për të përfituar lehtësira.

Emisionin “Në Shënjestër” ka bërë një përmbledhje të këtyre rasteve, më i fundit i të cilëve është ai i ish- ministrit Saimir Tahiri.

Ai nuk është politikani i parë dhe as i fundit, që zgjodhi t’i shpëtojë drejtësisë nëpërmjet atyre që fare mirë tani njihen si xhonglimet me ligjin.

Madje me gjasa nuk do jetë as i fundit që në vazhdim do të kërkojnë gjithmonë të gjejnë hendeqe ligjore për t’ia hedhur dënimeve të drejtësisë.
Por e vërteta është se ashtu si kolegët e tij pas hekurave, edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ia doli të jetë i aftë, të luajë fijet e fatit të tij.

Të provojë gjithçka për gjithçka për t’i shpëtuar dënimit.

Madje tani duke vënë në dyshim edhe integritetin e një drejtësie të ashtuquajtur të re, por që në thelb rezultoi se përdor të njëjtat makinacione si ajo e vjetër.

Ku në këtë rast gjykata e shkallës së parë Elbasan, i dha lirinë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lënë qelinë dhe për ta kryer pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit e 8 muaj e 15 ditë, brenda mureve të apartamentit të tij, pavarësisht se Gjykata e Posaçme për Korrupsonit dhe Krimin e Organizuar e kishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, për ‘shpërdorim detyre’.

Dënim të cilin ai së fundmi po e kryente në Burgun e Kosovës në Lushnjë.

Por që ish-ministri, në mënyrë jo edhe aq të pa paralajmëruar, ashtu si edhe shumë kolegë të tjerë të tij në politikë, la qelinë më 2 qershor 2023, duke zgjedhur si shpëtim, ashtu edhe si shumë kolegë të tij pas hekurave, sëmundjen e së shoqes, për ta kryer pjesën e mbetur të dënimit në banesë.

Një vendim që krijoi edhe njëherë perceptimin në opinionin publik, se të jesh politikan dhe qytetar i thjeshtë në Shqipëri, përbën ende një standard të dyfishtë edhe për atë që quhet drejtësia e re.

Në vendin ku politikanët pasi kanë kryer çdo zullum të mundshëm, vazhdojnë t’i shpëtojnë edhe atij pak dënimi të dhënë nga drejtësia përmes procedurave gjyqësore.

Ku si të mos mjaftonte fakti që gjyqtarja Matilda Fetau, firmosi dënimin alternative për ish-ministrin, i krijoi këtij të fundit edhe të tjera lehtësira edhe mundësinë që të linte ambientet e shtëpisë sa here ai ta kishte të nevojshme për plotësimin e nevojave të familjes.

“I dënuari Saimir Tahiri lejohet që gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi i tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në rastin konkret të ish-ministrit të Brendshëm, gjykata zbatoi nenin 59 a, pika B, nen i Kodit Penal që parashikon që për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme:
Për baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo është e pazonja për t’u kujdesur për të.
Konkretisht, Saimir Tahiri e bindi gjykatën se bashkëshortja e tij ishte e paaftë për tu kujdesur për dy fëmijët e mitur, për shkak të gjendjes shëndetësore.

‘Paaftësia’ e zonjës Tahiri për t’u kujdesur për të vegjëlit konfirmohet nga dy ekspertiza mjeko-ligjore, në të cilat theksohet se bashkëshortja e ish- ministrit është në gjendje shëndetësore të paaftë për t’u kujdesur për fëmijët e mitur.

Për këtë arsye, u vendos të pezullohej vuajtja e dënimit me burgim për ish-ministrin, që të mund të kujdesej për dy djemtë e mitur.

Edhe pse për dikë ky vendim i gjykatës së Elbasanit, mund të duket njerëzor, një vendim i tillë nuk u prit aspak mirë nga ambasada amerikane, e cila dukshëm nuk e honepsi dot faktin që investimi i saj madhor për një drejtësi të re, u vu në dyshim serioz nga vendimi i një gjykate.

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në ??sistemin e drejtësisë. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri.
SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.
Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, deklaroi Yuri Kim.

Por po kështu vendimi për lirimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nuk u prit mirë as nga opozita, e cila e cilësoi lirimin e tij, si një vendim të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, pas kërcënimeve të Tahirit se durimit i kishte ardhur fundi dhe se do zbulonte çdo lidhje të Ramës me krimin.

Për vendimin, u shpjegua edhe avokati mbrojtës i ish-zyrtarit.

“Nuk ka rrezik të theksuar shoqëror për këtë vepër, i kanë ngelur më pak se 2 vjet, atij i kanë mbetur 1 vit e 8 muaj e 15 ditë, duhet të ketë fëmijë të mitur në ngarkim që i ka 2 fëmijë dhe një bashkëshorte që nuk është e dënuar, duhet të jetë në pamundësi shëndetësore dhe në këtë rast, bashkëshortja vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat, është në pamundësi që t’u shërbejë fëmijëve”, deklaroi Maks Haxhia.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u vu në shënjestër nga Prokuroria për Krime të Rënda, në vitin 2017, pas përgjimeve të prokurorisë Antimafia në Katania, e cila goditi grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, lidhje familjare e largët e ish-zyrtarit.

Grupi Habilaj, sipas drejtësisë italiane kishte mundur të trafikonte sasi të mëdha hashashi nga Shqipëria drejt vendit fqinj.

Prokuroria e akuzoi ish-ministrin për trafik droge dhe grup kriminal, duke arsyetuar se kishte favorizuar grupin Habilaj në trafikun e drogës dhe kërkoi arrestimin e tij.

Maxhoranca socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim, por lejoi kontrollin e banesës dhe atë personal.

Hetimin e prokurorisë kryeministri Rama e cilësoi të njëanshëm dhe në nisje të hetimit, sulmet e tij ndaj prokurorëve të çështjes ishin te paprecedenta.

Në fund të procesit pavarësisht dyshimeve për implikim të tij në krijimin e kushteve për trafikun e drogës, Gjykata e Krimeve të Rënda në shtator 2019, e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por e dënoi me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata urdhëroi pezullimin e dënimit dhe vendosi ish-ministrin në Shërbim prove.

Thuajse 3 vite më vonë, me 4 shkurt 2022, gjykata e Apelit të Posacëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e dënoi përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim, çka bëri që ish-ministri të izolohej në qeli.

“Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Vendimi u godit në Gjykatën e lartë dhe Tahiri këmbënguli në pafajësinë e tij.

Ai asnjëherë nuk i pranoi akuzat.

Pas daljes nga qelia, ish-ministri tha se do të vijojë ta kërkojë drejtësinë.

“Do vazhdoj të kërkoj drejtësinë, siç kam bërë deri më sot. Të falenderoj me zemër ty që ke besuar gjithmonë te gjithçka jam e kam bërë unë!
Faleminderit dhe ty që ke gënjyer gjithmonë, duke më kujtuar çmimin e të vërtetës.
Pata mundësi të njihja padrejtësinë përballë.
Tani kam mundësinë të kërkoj të drejtën pa kursim!”, shkruante Tahiri.

Por Saimir Tahiri nuk është zyrtari i vetëm që shfrytëzoi sëmundjen e bashkëshortes, dhe fëmijët e mitur për t’i shpëtuar dënimit të mbetur.
Mark Frroku është një tjetër ish-deputet që mundi t’i shpëtojë pjesës tjetër të mbetur të dënimit, duke zgjedhur një taktikë proceduriale.

Ish-deputeti i Partisë Kristian Demokrate, u ndalua në vitin 2015, për deklarim të rremë, pas atentatit të pretenduar të Tom Doshit, dhe u dënua me 7.6 vite burgim për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje.

Ndërkohë ai ishte akuzuar edhe për një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, por akuzat për këtë krim, ranë për mungesë provash.

Ai u lirua në vitin 2018, nga Gjykata e Fierit, pasi i kishin mbetur edhe 1.5 vite burgim, të cilat iu konvertuan në shërbim prove.

Në vendimin për lirimin me kusht të ish deputetit, gjykata arsyetoi se i dënuari Mark Frroku është sjellë mirë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.

Ndërsa theksonte se ‘dënimi i vuajtur ia ka arritur qëllimit të riintegrimit të tij dhe se është rehabilituar plotësisht dhe dalja e tij në jetën e lirë nuk do t’i sillte asnjë pasojë sociale shoqërisë”.

Por ndërsa gjyqtarja Adelina Zarka e cilësoi si të të papranueshme kërkesën për lirim me kusht t ë ish-deputetit Mark Frroku, nuk mendoi kështu, gjyqtarja Matilda Shalla.

Në vendimin e saj, gjyqtarja Shalla ndalet edhe tek gjendja familjare e të dënuarit Frroku, ku arsyeton mes të tjerash se ai ka prindërit e moshuar dhe se duhet të kujdeset për fëmijët e mitur, për shkak se bashkëshortja e tij atëkohë ishte sëmure.

Më vonë, për fat të keq, ajo do të ndërronte jetë.

Por ndërsa makinacionet për t’i shpëtuar dënimit janë nga më të larmishmet, ajo më e preferuara nga zyrtarët që duan ti shpëtojnë burgut, është ajo me lojën e një sëmundje të papritur.

Ashtu si edhe në rastin e Tahirit, ku këtë herë u gjet si shkak sëmundja e bashkëshortes, një tjetër politikan që zgjodhi sëmundjen për t’i qëndruar të paktën për ca kohë larg qelisë, është Fredi Beleri.

Kandidat dhe fitues në zgjedhjet lokale të 14 majit Himarë, në pritje të gjykimit në akuzën për korrupsion zgjedhor, ai ndodhet për momentin i shtruar në spitalin e burgut në Tiranë.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, është shtruar në spitalin e burgut pas disa problemeve shëndetësore.
Shkak për përkeqësimin e shëndetit të Belerit, janë bërë problemet kardiake.

Por loja e sëmundjes së qelisë është sa e re edhe e vjetër.

Shpëtim Gjika ishte një kryebashkiak i njohur në Vlorë.
Ai u arrestua në akuzën për ‘shpërdorim detyre’ në lidhje me ndërtimin e një pallati 11-katësh, në zonën e Ujit të Ftohtë në qytet.
Por me tu prangosur ai nisi të ketë probleme shëndetësore, të cilat e çuan deri te shtrimi në një spital privat në kryeqytet.

Një tjetër zyrtar i cili u sëmur në qeli ishte edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

I akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre e pastrim parash, në aferat e inceneratorëve të Elbasanit e Fierit, i cili u tha se vetëm disa muaj pasi u arrestua la qelinë e burgut dhe mbërriti në spital me probleme të rënda shëndetësore.

Por pa ditur se cili ishte problemi i tij i vërtetë shëndetësor, apo nëse kjo sëmundje ishte vetëm një pretekst për të lënë sa më shpejt qelinë.

Aktualisht, Koka ndodhet në burg, por së fundmi gjykata ka caktuar ekspertë mjeko-ligjorë që të përcaktojnë nëse gjendja shëndetësore, ia mundëson qëndrimin ne qeli.

I fundit që kërkoi lirimin nga qelia dhe ia arriti në një farë mënyrë ta fitojë ishte ish-deputeti Alqi Bllako, i cili për të fituar lirinë përdori pretekstin e fëmijëve që kishin mbetur vetëm.

Por liria e tij zgjati shumë pak,pasi Apeli e riktheu në qeli ish-deputetin socialist të akuzuar për aferat e inceneratorit të Fierit, që përfitoi vetëm një muaj liri me vendim të Gjykatës së Posaçme, por që një kërkesë e SPAK ia hoqi këtë privilegj.

Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës nën akuzë për korrupsion, është zyrtari i radhës që synon lirimin nga burgu për shkaqe shëndetësore.

Në seancën e fundit, pak ditë më parë, ekspertët mjekoligjorë dorëzuan në gjykatë një raport për të, ku shpreheshin Alla ka probleme shëndetësore dhe se qëndrimi në qeli nuk është i përshtatshëm për të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb