Një senator amerikan thotë se i ka dorëzuar Presidentit rus Vladimir Putin një letër nga Presidenti Donald Trump, ku bëhet thirrje për zhvillimin e më shumë bisedimeve dhe shkëmbimeve mes dy vendeve.

Republikani Rand Paul, mbështetës i zotit Trump, i cili ka qenë në Moskë ditët e fundit dhe ka zhvilluar bisedime me ligjvënësit rusë, tha të mërkurën se “isha i nderuar t’i dorëzoja administratës së Presidentit Vladimir Putin një letër nga Presidenti Donald Trump”.

Në një postim në Twitter zoti Rand Paul tha se letra “theksonte rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm në fusha të ndryshme, përfshirë luftën kundër terrorizmit, rritjen e dialogut legjislativ dhe rifillimin e shkëmbimeve kulturore”.

Si zoti Trump ashtu dhe zoti Putin e kanë ftuar njëri-tjetrin për vizitë në vendet respektive pas takimit mes tyre muajin e kaluar të mbajtur në Helsinki. Por asnjë takim i ri nuk është planifikuar dhe Shtëpia e Bardhë tha se po e shtynte një vizitë të zotit Putin në Uashington deri në vitin 2019, kohë gjatë të cilës pret që hetimet e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të kenë përfunduar.

Zoti Trump u kritikua gjerësisht në SHBA për sjelljen e tij në takimin e nivelit të lartë në Helsinki ndërsa u duk sikur i mbështeti komentet e zotit Putin se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, duke barazpeshuar qëndrimet e udhëheqësit rus me gjetjet e bashkësisë amerikane të zbulimit sipas së cilës Rusia kishte kërkuar të ndihmonte zotin Trump të fitonte. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Trump, zoti Putin tha se kishte dashur që zoti Trump t’i fitonte zgjedhjet, sepse aso kohe kandidati Trump kishte thënë se donte të përmirësonte marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Pasi u kthye në Uashington, Presidenti Trump sqaroi komentet e tij dhe tha se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, por vazhdoi t’i quajë “një mashtrim i madh” pohimet se Rusia u përpoq ta ndihmojë atë të fitojë dhe hetimin e zotit Mueller.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb