Një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka mbërritur në vendlindje të mërkurën herët pasi u lirua nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për rreth tre muaj për gjoja krime kundër popullatës civile, njoftoi avokati i tij Arianit Koci. Mit’hat Llozhani mbërriti në Kosovë rreth orës 5:00 mëngjesin e së mërkurës, shkroi Koci në Facebook. Koci theksoi se Llozhani “ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë” dhe shtoi se më shumë hollësi “do të japim bashkë me Mit’hatin, ditëve në vijim”. Llozhani ishte arrestuar më 5 shkurt sapo kishte hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit në kufi me Kroacinë, informon REL. Ai ishte dërguar në paraburgim nga autoritetet serbe, të cilat thanë asokohe se ai dyshohej se kishte kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit në vitet 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”.
Por, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i tha Radios Evropa e Lirë (REL) në shkurt se Llozhani kishte marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk kishte të dhëna se ai kishte qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, i pati thënë REL-it se Llozhanit i ishte gjetur kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD) i kishte kërkuar angazhim bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në lirimin e LLozhanit. Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës për gjoja krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD
-Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.
-Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.
-Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.
-Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.
-Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.
-Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.
-Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.
Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuaan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.
