Në ditën e 74-të radhazi të protestës përpara godinës së Kryeministrisë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, fjalimet nga podiumi kanë prekur edhe qëndrimet e kreut të ekzekutivit për çështjen e Kosovës. Një i ri protestues ka marrë fjalën për të reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit, duke i cilësuar ato si një fyerje ndaj luftës çlirimtare dhe vullnetit të popullit shqiptar.
I riu u ndal veçanërisht te formulimi i përdorur nga kryeministri se “Serbia e humbi Kosovën”, duke theksuar se një qëndrim i tillë tjetërson të vërtetën historike:
“Kryeministri tha se ‘Serbia e humbi Kosovën’. Kjo nuk është thjesht e gabuar, por është fyerje! Ai tha këtë, por nuk është e saktë. Me këtë deklaratë ai e sheh Kosovën si një humbje të Serbisë dhe jo si çlirim të shqiptarëve; mohon luftën e UÇK-së dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të qenë i lirë, duke e reduktuar çështjen si të tillë. Kjo është tradhti ndaj një populli!”
Më tej, protestuesi vendosi me forcë theksin te kornizimi i drejtë i historisë dhe sakrificës së shqiptarëve të Kosovës:
“Serbia e pushtoi Kosovën dhe shqiptarët e çliruan Kosovën, ndaj Serbia nuk e ‘humbi’ Kosovën, por ajo u çlirua nga pushtimi serb!” deklaroi i riu nga podiumi përpara turmës së mbledhur në shesh.
