TIRANE-Komisioni Hetimor për çështjen e ndërhyrjes në serverat e Tatimeve u mblodh sot për të diskutuar mbi dokumentacionet e mbërritura nga institucionet shtetërore të përfshira në këtë hetim.

Gjatë mbledhjes kryetari i komisionit, Arben Ristani, bëri me dije se të gjitha institucionet kanë sjellë informacion, me përjashtim të dy më të rëndësishmëve, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT).

Sipas Ristanit, nëse DP e Tatimeve ka denjuar të kthejë një përgjigje edhe pse jo ajo e kërkuar nga komisioni, Ministria e Financave nuk ka sjellë asnjë shkresë. Kjo, sipas tij, përbën shkelje të kodit penal. “Propozoj që Komisioni hetimor, bazuar në ligj të kallëzojë penalisht për “shpërdorim detyre, me qëllim pengimin hetimi”, ministrinë e Financave.

“Sipas Kodit Penal komisioni hetimor duhet të kërkojë edhe sekuestrimin e dokumentacionit, që i vjen në ndihmë hetimit tonë”, tha Ristani.

Kjo kërkesë u shoqërua me diskutime të shumta, pasi anëtarët e majtë të komisionit nuk ishin dakord me këtë kërkesë, sipas tyre radikale.

Blendi Klosi, Deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetar i këtij komisioni, u shpreh se përgjigja e Drejtorisë së Tatimeve është ezauruese. “Ky komision i mbivendoset punës së prokurorisë dhe kjo vjen për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtën kuvendit të ngre këtë komision, që në të vërtetë nuk duhet të ishte bërë dhe sot jemi këtu përballë faktit. Pasi DPT thotë në shkresën e saj, se prokuroria si organi që po bënë hetimin e çështjes ndalon marrjen e këtyre shkresave”, vijoi Klosi, i cili propozoi në emër të anëtarëve të opozitës, dërgimin e një shkrese tek prokuroria, ku kjo e fundit të sqarojë hapësirat ku komisioni hetimor mund të lëviz.

Atsh shkruan se grupi kuvendor i Partisë Demokratike, me në krye deputetin Arben Ristani u shprehën kundër kësaj ideje, pasi sipas tyre, parlamenti është institucioni më i lartë në vendin tonë dhe nuk është prokuroria ajo që përcakton tagrat dhe hapësirat e komisionit hetimor, por ligji dhe kodi i procedurës penale.

“Nuk mund të jetë kurrësesi prokuroria një institucion që përcakton punën e komisionit hetimor dhe aq më pak që ndan se cila dokumente mund të marrim apo jo, prandaj në këtë pikë nuk ka diskutim. Ne maksimumi mund të pyesim në prokurori se në ç’pikë kanë arritur hetimet dhe cilët janë personat që po hetohen për këtë, por jo të pyesim hetuesinë se çfarë dokumentesh duhet apo s’duhet të marrim”, tha Ristani.

Pas më shumë se 60 minutash debate, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, duke parë dhe minorancën në vota u tërhoq nga kërkesa e parë, duke gjetur një zgjidhje alternative. “Për të mos vazhduar me fjalë boshe është mirë të gjejmë një zgjidhje. Ligji thotë kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe ne këtë duhet të bëjmë, por duke parë rrethanat ne po i japim një zgjidhje të ndërmjetme Ministrisë së Financave, t’i japim disa ditë kohë MF-së dhe në rast se deri të hënën nuk do të ketë përgjigje atëherë ne do veprojmë sipas ligjit”, tha Ristani duke kujtuar dhe rastin e krybashkiakut të Vlorës Gjika, të cilit prokuroria i shkoi në zyrë për të sekuestruar dokumentet.

Deputeti PS, Klosi duke dhënë dakordësinë e tij për këtë kërkesë, shtoi se grupi i tij parlamentar është i idesë se edhe prokurorisë i duhet dërguar një shkresë, për të parë përparimin e hetimeve.

Pasi u hodh në votim edhe kjo kërkesë e socialistëve, Komisioni Hetimor mbylli punimet duke pranuar të dyja kërkesat për ditën e sotme, teksa u caktua mbledhja e radhës, që do të zhvillohet të hënën në orën 12:00. Dita e fundit e punës së këtij komisioni, ku do paraqiten dhe raportet përkatëse do të jetë data 19 Mars 2015.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb