TIRANE – Në pritje të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, akuzoi edhe një herë qeverinë për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Sipas Vasilit, Rama e qeveria e tij janë të vetmit fajtorë për faktin se Shqipëria po përballet me një nga situatat më të rënda të krimit.

Në një deklaratë për shtyp, kreu i grupit të LSI, tha se kriminaliteti ka sjellë rrënim të pandalshëm ekonomik e si pasojë mijëra shqiptarë duan të lënë vendin.

“Qeveria dhe kryeministri janë ideatorët dhe fajtorët e vetëm të një situate kaq të rëndë. Shqipëria përballet me një situatë nga më të rëndat të krimit, Shkodra po përballet për ditë me krime njëri më i rëndë se tjetri, një shtet që i ka duart e lidhura, dhe e ka të pamundur të veproj, se ka qenë njësh me kriminelët. Janë po ata që diktojnë në komisariate. Pushteti është i trembur, i frikësuar pasi është bashkëfajtor. Kjo situatë kriminale ka sjellë rrënim ekonomik të pandalshëm. Mijëra shqiptarë duan të lënë vendin. Mbi 70% e shqiptarëve hedhin lotarinë amerikane,” tha Vasili.

Ai gjithashtu bëri të ditur moton e partisë së tij në këtë prag të nisjes së sesionit parlamentar.

“Pamundësia, që është plagë që vetëm thellohet, bie ndesh me raportet qesharake të qeverisë për shifra në rritje të punësimit. Dhuna dhe arroganca kanë qenë shënjuesit e sesionit parlamentar që lamë pas. E për këtë arsye, për këtë sesion që nis, LSI do të jetë në një moto: Tolerancë 0 ndaj hajdutërisë që ka pushtuar vendin. Është e qartë që kultura e pandëshkueshmërisë është realitet që po përdoret poshtërsisht nga qeveria, pasi reforma në drejtësi, e kapur, ka bërë që mos të veprojë, mos identifikojë asgjë në tribunalet që zhvillohen. Vend pa gjykatë, me drejtësi të rrënuar. Prokuroria nuk lëviz gishtin as për audiopërgjimin e Denar Bibës. Shqipëria është kthyer në një Far-West të vërtetë,” u shpreh Vasili.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: