Trajneri i Tiranës, Erbim Fagu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në prag të ndeshjes me Laçin.

“Sigurisht, kur ndryshon trajnerët, secili ka filozofinë e tij për futbollin. Por gjithsesi nuk është se do të bëjmë ndryshime të mëdha, për faktin se koha është e shkurtër dhe zakonisht ndryshimet e mëdha kërkojnë kohë dhe mund të gabojmë. Por sigurisht do të fokusohemi te disa gjëra të vogla që unë kam parë si në ndeshjet e kaluara, ashtu edhe në ndeshjen e fundit.

Në futboll, nuk është se ka një moment për të mundur një skuadër. Për ne është e rëndësishme që nga ky moment e mbrapa të marrim ndeshjet një nga një, duke filluar nga Laçi. Nuk ka rëndësi që nuk e kemi mundur në asnjë ndeshje në kampionat rëndësi ka të japim maksimumin dhe marrim tre pikët që na mungojnë në këto momente.

Sigurisht, mungesat janë të rëndësishme pasi janë lojtarë të rëndësishëm. Por kam besim shumë të madh edhe te grupi aktual që kemi në dispozicion që do të japin më të mirën dhe do të japin maksimumin.

Nuk mund të krahasoj ndeshjen e Teutës me Laçin, por sinjalet ishin pozitive. Sigurisht, kur unë nuk kisha asnjë ditë stërvitje me grupin. Por siç e kam thënë në ndeshje të tjera, sinjalet ishin pozitive. Mendoj që ajo që është e rëndësishme në këto momente, është të mos kemi ngërç psikologjik sa u përket rezultateve, çdo gjë do vijë hap pas hapi.

Vendi i pestë? Do të tregohesha hipokrit po të thosha që nuk më shqetëson se dihet që objektivi janë katër vendet e para. Por ka ndeshje në dispozicion për të arritur katërshen në play-off.

I kënaqur me barazim? Futbolli është sa i bukur dhe i vështirë. Gjithmonë ka të tre rezultatet në lojë. Por ne do të hyjmë për të fituar ndeshjen se për atë jemi stërvitur gjatë këtyre ditëve. Lojtarët e dinë shumë mirë çfarë është e rëndësishme për ta në këto momente. Nuk duhet të jemi në presion të rezultatit, ka ende ndeshje. Por sa shumë, aq edhe pak janë për të arritur objektivin” – tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: