Një minorene, nxënëse e klasës së tetë në një shkollë periferike në kryeqytet, është shtrënguar t’u japë shuma parash 100-2500 lekë të rinj dhe paketa cigaresh dy djemve. Kjo ka qenë “gjoba” që ajo duhet t’u paguante, pas kërcënimit prej tyre me publikimin e një videoje intime të saj në “Facebook”. Dy djemtë që kanë shantazhuar të miturën, Erald R. dhe Ervin R., kanë qenë bashkëmoshatarë të saj, një prej të cilëve ish-i dashuri. Ngjarja është shënuar në vitin 2015 dhe për këtë rast kanë përfunduar si të pandehur dy adoleshentët Eraldo R. dhe Ervin R. Ata janë gjykuar nga Shkalla e Parë dhe së fundmi edhe nga Apeli për Krimet e Rënda, ku janë deklaruar fajtor për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe u dënuan me 1.5 dhe 1 vit burg. Për shkak të moshës së mitur, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tyre në Shërbim Prove për një periudhë 2.5 dhe 2-vjeçare.

GJOBA
Gjetja e dy paketave cigaresh në duart e një nxënëseje të klasës së tetë, K.A., në ambientet e shkollës nga drejtoresha ka zbuluar më pas historinë tronditëse, ku e mitura ishte përfshirë. Duke u shfajësuar, ajo ka rrëfyer se paketat nuk ishin të saj dhe se duhet t’ua dorëzonte ato dy djemve, një prej të cilëve ish¬i dashuri i saj, të cilët e kërcënonin me publikimin e një videoje intime. Të dyve ajo herë pas here u jepte edhe shuma parash. Me tej është njoftuar policia, e cila ka bërë ndalimin e dy minorenëve, që në orën e pushimit kanë ardhur të marrin “gjobën”. Sipas arsyetimit të gjykatës, vajza e mitur ka krijuar një lidhje dashurore me një prej djemve gjatë së cilës kanë konsumuar edhe marrëdhënie seksuale. “Gjatë kësaj lidhjeje ata shoqëroheshin shpesh të tre, ku shtetasi Erald R., në dijeninë dhe të tyre, iu bënte fotografi me telefonin e tij celular gjatë çasteve intime. Duke i bërë presion nëpërmjet këtyre fotografive, presion ky i shtuar me pretekstin se dispononin dhe video gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të pandehurin Erald R., të pandehurit Erald R. dhe Ervis K., në marrëveshje ndërmjet tyre, kanë detyruar shtetasen K.A. t’u japë atyre lekë dhe paketa cigaresh”, thuhej në dosjen gjyqësore.

DESHMIA
“Për veten time në asnjë rast nuk i kam marrë lekë, ndërsa për Eraldin kam marrë gjithsej në tri raste, më konkretisht në vlerat 2500, 1800 dhe 100 lekë. Këto raste kanë qenë në periudhën dhjetor 2014, shkurt 2015 dhe tek ajo kam shkuar me porosi të Eraldit. Në rastet e tjera Eraldi ia ka marrë vetë lekët asaj, prandaj nuk e di se në çfarë vlere. Unë vetë nuk kam qenë prezent në momentet që Eraldi ia ka marrë lekët, por ai më tregonte shpesh se merrte lekë nga ajo”, ka rrëfyer i pandehuri Ervis K. gjatë hetimit të çështjes./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb