Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi të mërkurën vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.

Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji, sipas DASH-it.

Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, tha për gazetarët se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit amerikan, Joe Biden.

Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se ato raketa ishin përdorur javën e kaluar për ta bombarduar një fushë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, si dhe forcat ruse në një pjesë tjetër të uzurpuar të vendit gjatë natës.

ATACMS mund ta godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën më mars, jo pjesë e paketës që Kongresi e aprovoi dhe presidenti Biden e nënshkroi më 24 prill.
“Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, në mënyrë që ta ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e tyre”, tha Patel.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se “një numër i madh” i raketave i është dërguar Ukrainës, duke shtuar se “ne do t’iu dërgojmë më shumë”.

Ai theksoi se Ukraina është zotuar se do t’i përdorë këto armë vetëm brenda Ukrainës, dhe jo në Rusi.

Administrata e Bidenit kishte ngurruar t’i dërgonte Ukrainës armë të tilla në të kaluarën, për shkak se shqetësohej se ato mund ta nxisnin përshkallëzimin e konfliktit.

Ukraina po furnizohet me këto armë në një kohë vendimtare, pasi Rusia po vazhdon të çajë përpara në fushëbetejë në rajonin lindor, Donjeck.

Rusia mund të fitojë më shumë territor kundër forcave ukrainase në ditët në vijim, paralajmëroi Sullivan.
Raportohet se SHBA-ja e ndryshoi qëndrimin rreth raketave me rreze të gjata veprimi pasi Rusia përdori raketa balistike me rreze të gjata veprimi, të siguruara nga Koreja e Veriut, për ta goditur Ukrainën në dhjetor dhe në janar. Faktori ishin edhe sulmet e vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës.

Ndërkohë, Biden e nënshkroi dje paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo u miratua nga Kongresi amerikan pas shumë vonesave.

Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh.

Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: