SHBA po përpiqet të bindë Arabinë Saudite të rrisë prodhimin e naftës.

Presidenti i SHBA Joe Biden, mbërriti sot pasdite në Arabinë Saudite ndërsa u takua me Mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.

Avioni presidencial u ul në Jeddah, në Arabinë Saudite perëndimore, nga Izraeli, fluturimi i parë direkt nga ai vend në një kohë kur Uashingtoni po kërkon të normalizojë marrëdhëniet midis dy partnerëve të tij më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan me syze dielli, nuk u prit në aeroport nga homologët e tij, por nga sundimtari i Mekës, Princi Khaled al-Faisal dhe Princesha Rima Bandar al-Saud, ambasadori saudit në Uashington. 

Megjithatë, pak minuta më vonë, ai shkoi në pallat ku u përshëndet me një “grusht” (siç janë mësuar shumë udhëheqës për shkak të pandemisë) nga princi i kurorës 36-vjeçar dhe me një shtrëngim duarsh nga mbreti Salman .

Pas takimit me mbretin Salman, Biden do të zhvillojë bisedime me Princin Mohammed për një sërë çështjesh duke nisur nga nafta te armët.

Zyrtarët amerikanë thanë më herët se presidenti amerikan do të fliste gjithashtu edhe për çështjen e të drejtave të njeriut.

Takimi i Biden me princin e kurorës është pika kryesore e këtij turneu në Lindjen e Mesme, teksa SHBA-të përpiqen të bindin Arabinë Saudite të hapë çezmat e prodhimit të naftës.

Synimi është ulja e çmimit të benzinës me afrimin e zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb