Shtetet e Bashkuara i bënë të hënën thirrje Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje dhe të shmangë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme ndërsa qeveria izraelite po shqyrton se si do t’i përgjigjet sulmeve të Iranit gjatë fundjavës me 300 dronë dhe raketa. “Ne nuk duam përshkallëzim, por do të vazhdojmë të mbështesin mbrojtjen e Izraelit dhe do të vazhdojmë të mbrojmë personelin tonë në rajon”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në nisje të një takimi me zëvendës kryeministrin e Irakut Mohammed Ali Tamim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e luftës të hënën, për herë të dytë në më pak se 24 orë, tha një burim qeveritar. Po shtohet frika se sulmi i Iranit mund të çojë në një luftë të hapur midis Izraelit dhe Iranit dhe të përhapet në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Presidenti Joe Biden i ka thënë kryeministrit Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në asnjë kundërofensivë të Izraelit kundër Iranit.

Që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në 7 tetor, përplasjet janë përhapur midis Izraelit dhe grupeve të lidhura me Iranin në Liban, Siri, Jemen dhe Irak. “Jemi buzë greminës dhe duhet të largohemi prej saj”, tha Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrel në një intervistë për radion spanjole Odna Cero. “Duhet të ndalojmë dhe të ndryshojmë kah”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se qeveria e tij do bëjë gjithçka që mundet për të shmangur përshkallëzimin e situatës me Izraelit dhe Iranit. Kancelari gjerman Olaf Scholz lëshoi një mesazh të ngjashëm të hënën duke paralajmëruar Iranin kundër sulmeve të mëtejshme ndaj Izraelit dhe duke i bërë thirrje Izraelit që të mos lejojë përshkallëzimin e situatës. Rusia nuk ka kritikuar publikisht aleatin e saj Iranin për sulmet, por të hënën shprehu shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të armiqësive, duke kërkuar përmbajtje. “Përshkallëzimi i mëtejshëm nuk është në interesin e askujt”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Autoritetet izraelite njoftuan se kufizimet për tubimet e mëdha do të hiqen në shumicën e vendeve. Në Iran, media shtetërore tha se u rikthyen fluturimet, pas pezullimit për shkak të sulmit ajror në Izrael. Veprimet e Iranit ishin në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e tij në Siri më 1 prill, në të cilin u vranë komandantët kryesorë të Gardës Revolucionare. /VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb