Deputeti socialist Pandeli Majko gjatë seancës së sotme ka replikuar me deputetët e opozitës në lidhje me punën e reformës në drejtësi dhe SPAK-ut.

Majko iu drejtua me një pyetje ligjvënësve në anën e majtë të sallës, duke u thënë se do të zgjedhin të respektojnë institucionet apo do të dalin te rruga për të bërë të ashtuquajturin revolucion.

Ai theksoi se ajo që opozita po bën sot duke goditur SPAK është një lëvizje anti sistem.

Majko shtoi më tej se sot në burgjet e vendit janë më shumë anëtarë të PS, ama deputetët socialistë nuk kanë zgjedhur të godasin SPAK apo reformën në drejtësi.

“Unë e përsëris, do qëndroni brenda sistemit, do respektoni institucionet apo do dilni te rruga për të bërë të ashtuquajturin revolucion. Duhet të kuptoni se nëse sot rënkoni pse u tërhoqët nga zgjedhjet ajo ishte një lëvizje anti sistem, Kjo që po bëni sot me drejtësinë është sërish e tillë, Të gjithë lëvizjet anti sistem ju kanë nxjerrë nga sistemi, Pikët i keni humbur çdo ditë ndaj një publiku që nuk do të shohë aventurierë në krye të shtetit, dinë vetëm se duan t’i hypin kalit të pushtetit nesër që të bëjnë atë që kanë bërë. Sot në burgjet e Shqipërisë, në organet e drejtësisë më shumë janë anëtarë të PS sesa nga krahu juaj, Asnjë nga ne nuk është ngritur të godasë SPAK, reformën në drejtësi. Sepse ne respektojmë sistemin legal në vend, e kemi bërë dhe në opozitë, por ju keni vendosur të punoni jashtë sistemit. Aty nuk keni të ardhme”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb