Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përjashtuar mundësinë e diskutimit të sigurisë evropiane pa praninë e evropianëve.

“Nuk ka asnjë mënyrë që të diskutojmë sigurinë evropiane pa aleatët evropianë”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas takimit të jashtëzakonshëm të kryediplomatëve të NATO-s, duke adresuar shqetësimet për një marrëveshje të mundshme SHBA-Rusi për sigurinë evropiane.

Kryediplomatët e vendeve anëtare të NATO-s zhvilluan një bisedë përmes video-lidhjes përpara ngjarjeve kryesore diplomatike të javës së ardhshme midis aleatëve të NATO-s dhe Rusisë.

Stoltenberg tha se SHBA e ka bërë të qartë se nuk do të marrin vendime për sigurinë evropiane gjatë bisedimeve dypalëshe me Rusinë dhe theksoi se të gjithë aleatët evropianë do të jenë në tryezën e bisedimeve në Këshillin NATO-Rusi.

Ai e quajti një “shenjë pozitive” gatishmërinë e Rusisë për t’u angazhuar në bisedime me aleatët e NATO-s pavarësisht tensioneve të larta, si dhe shtoi se kjo është një mundësi e shkëlqyer për Moskën “të tregojë se është serioze ndaj dialogut dhe diplomacisë”.

Ai theksoi se aleatët e NATO-s janë “të gatshëm të dëgjojnë shqetësimet ruse dhe të bëjnë çdo përpjekje për të gjetur një rrugë politike përpara”, por shtoi ai, në këmbim ata gjithashtu duan të adresojnë shqetësimet e NATO-s për veprimet ruse.

Ai shpjegoi se pavarësisht presionit të komunitetit ndërkombëtar, “ndërtimi i jo-provokues dhe i pa justifikuar ushtarak i Rusisë brenda dhe rreth Ukrainës” vazhdoi me vendosjen e “dhjetëra mijëra trupave luftarake”.

Stoltenberg shtoi se NATO po ashtu është e përgatitur për dështimin e bisedimeve dhe se kryediplomatët riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ai tha se “çdo agresion i mëtejshëm kundër Ukrainës do të kishte pasoja domethënëse dhe do të kishte një çmim të rëndë për Rusinë”.

Në datat 9 dhe 10 janar, delegacionet amerikane dhe ruse të kryesuara nga zv/sekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman dhe zv/kryediplomati rus, Sergei Ryabkov, do të takohen në Gjenevë.

Më 12 janar, Këshilli NATO-Rusi do të mblidhet për herë të parë që kur NATO pezulloi të gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në vitin 2014 për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Më 13 janar, Rusia do të zhvillojë bisedime me Ukrainën, Gjermaninë dhe Francën në kuadër të të ashtuquajturës “formati Normandi” për të siguruar zbatimin e marrëveshjes së paqes së Minskut.

Viti i kaluar u shënua nga tensione të larta midis NATO-s dhe Rusisë mbi akuzat për spiunazh dhe ngritjes së vazhdueshme ushtarake të Rusisë brenda dhe rreth Ukrainës.

Për të normalizuar marrëdhëniet, Rusia muajin e kaluar i dorëzoi SHBA-së dhe NATO-s dy projekt-marrëveshje mbi garancitë evropiane të sigurisë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb