TIRANË- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane gjeneral Claudio Graziano po zhvillon një vizitë dyditore në vendin tonë. Pas pritjes me truprojë nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneral Graziano u prit në një takim nga ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli.

Bashkëpunimi dypalësh, situata e sigurisë në Detin Mesdhe dhe pjesëmarrja e përbashkët në operacionin ushtarak “Resolute Support Mission” ishin disa nga temat e diskutimit mes ministres Kodheli dhe gjeneral Grazianos.

Misioni KFOR në Kosovë që drejtohet nga Italia dhe ku vendi ynë merr pjesë, zuri një vend të veçantë në bisedë. Ministrja Kodheli e cilësoi KFOR si një histori suksesi të NATO dhe u shpreh e gatshme për rritjen e kontributit të vendit tonë në këtë mision.

Ministrja Kodheli shprehu mbështetjen e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe gjithashtu gatishmërinë e FA-ve shqiptare për të marrë pjesë në operacionin e trajnimit në Bagdad, përkrah karabinierëve italianë.

Zonja Kodheli e falënderoi gjeneral Grazianon për mikpritjen e FA-ve shqiptare gjatë stërvitjes “Trident Juncture 15” në Sardenjë dhe për mbështetjen e Italisë në arsimimin e studentëve shqiptarë në akademitë më të mira ushtarake të vendit fqinj.

Gjeneral Graziano u njoh edhe me kërkesën e Shqipërisë për ngritjen e një qendre ekselence të NATO për trajtimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj.

Nga ana e tij gjeneral Graziano u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin e dy vendeve tona dhe e cilësoi Shqipërinë si një partner strategjik dhe jetësor të vendit të tij.

Në vijim shefi i Shtabit të Ushtrisë Italiane gjeneral Graziano dhe delegacioni që e shoqëronte, u pritën në një takim edhe nga homologu i tij shqiptar gjeneralmajor Jeronim Bazo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb