Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së re të Shëndetësisë Klodiana Spahiu, bërë në Kuvend, ku tha se dera e zyrës së saj do jetë e hapur për të dëgjuar problemet e qytetarëve.

“Ku e ka dëgjuar kjo se Ministrja e Shëndetësisë zgjidh problemet e qytetarëve duke i pritur ata në zyrë?”-, shprehet Shehaj.

Sipas kreut të Mundësia, problemet e pacientëve shqiptarë zgjidhen nëse paratë për ilaçet e tyre jetike nuk do të vidheshin nga politikanët e korruptuar.

“Problemi i shëndetësisë në Shqipëri është te paratë e ilaçeve. Paratë që duhet të shkojnë në spitalet shtetërore vidhen; vidhen nga ministrat, nga deputetët, nga qeveria, nga miqtë e tyre. Jo sepse nuk i pret njeri, i presin njerëzit. I presin dhe i përcjellin. I pret infermierja, po s’ka çfarë të bëjë i shkreti se nuk ka ilaçe. I pret mjeku, po dhe ai s’ka çfarë të bëjë se, nëse nuk ka ilaçe, çfarë do bëjë ai?”-, shprehet Shehaj.

Shehaj thekson në reagimin e tij se deklarata e ministres Spahiu është mashtrimi i radhës ndaj qytetarëve shqiptarë.

Sipas kreut të Mundësia, shqiptarët tashmë e dinë të vërtetën, ndaj kanë mbushur sheshet me revoltën e tyre prej mbi 110 ditësh.

“Tani thotë kjo: “Do të të pres unë”. Do i përcjellë ministrja vetë. Këta janë mashtruesa ordinerë. Gënjejnë hapur! Mendojnë se do t’i gënjejnë qytetarët duke thënë: “Hajde ti, të pres unë.”

Ministrja e Shëndetësisë nuk e dimë se ku e ka parë këtë model, në ç’vend të botës perëndimore ku ministri nuk bën gjë tjetër veçse rri në zyrë dhe pret pacientët të cilët janë të pakënaqur apo nuk gjejnë shërbimet në sistemin shëndetësor. E vërteta është që iu ka dalë boja dhe janë bërë të pabesueshëm! Kjo është arsyeja pse mbushet bulevardi, kjo është arsyeja pse i qepet këmba këmbës dhe i gjuajnë me vezë dhe iu thonë të vërtetën, çfarë janë: hajdutë, të korruptuar!”- e mbyll reagimin e tij Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: