TIRANE – Pas ngjarjes së rëndë në Bulqizë, ku një 47-vjeçar humbi jetën në minierë, deputeti demokrat Tritan Shehu thekson domosdoshmërinë e plotësimit të standardeve në miniera, në mënyrë që të sigurohet jeta dhe shëndeti i minatorëve.

Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Tritan Shehu thekson se “mos plotësimi i standardeve duhet të shoqërohet me vendime të ashpra ndëshkuese, deri në mbylljen e aktivitetit”.

“Një vdekje tjetër në minierën e Bulqizës. Kudo mund të ketë aksidente, por siguria në pune në minierat tona vazhdon të jetë jashtë çdo standardi. Duhen marrë masa energjike për të siguruar jetën dhe shëndetin e minatorëve. Për të minimizuar aksidentet, veçanërisht ato të rënda. Investitorët duhet të detyrohen të investojnë shumë më tepër për këtë. Nuk duhet të përfitojnë nga varfëria e njerëzve aty. Kjo është e dënueshme. Strukturat shtetërore të kontrollit e vlerësimit duhet të jenë më energjike dhe të pa korruptueshme. Duhet të zyrtarizohen qartësisht standardet e lejuara, afatet kohore të realizimit të tyre, masat e ndërmjetme. Mos plotësimi i standardeve duhet të shoqërohet me vendime të ashpra ndëshkuese, deri në mbylljen e aktivitetit. Edhe organet e drejtësisë duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur jetën e atyre që punojnë aty.”- shkruan Tritan Shehu.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: