Pesë gola për tri pikë, përmbysje kundër përmbysje, shumë spektakël ndërsa në fund festa ishte e gjitha për bardheblutë. Tirana largon makthet e COVID-19, rikthehet në fushë me prepotencë dhe thyen as më shumë e as më pak por kampionët në fuqi.

Një fitore e madhe 2-3 që i mban në krye, tashmë të shkëputur në kuotën e 11 pikëve. Kjo ishte sfida e duhur, ndeshja e duhur për të konfirmuar mes favoritëve, një përgjigje e gjatë për të gjithë skeptikët, kryeqytetasit dinë të fitojë dhe të dhurojnë një paraqitje fantastike edhe pa një pjesë të mirë të titullarëve.

Pavarësisht fitores, presidenti Halili dhe të gjithë në shtëpinë e badheblutë qëndrojnë me këmbë në tokë, nuk është koha për të folur as për titull e as për favoritë, e gjitha vëmendja është e përqendruar te derbi i përjetshëm, sfida ndaj Partizanit, ku i shohin të kuqtë me minus 7 pikë në vetëm 5 javë.

“Normal që shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme për ne është që vazhdojmë të ecim para. Fituam ndeshjen, gjë e mirë për skuadrën dhe për tifozërinë tonë. Kampionati është i gjatë, uroj që të mos ketë më ngjarje si ato që kaluan futbollistët tanë gjatë këtyre ditëve dhe të jenë të gjithë mirë me shëndet. Pastaj të shohim, të ecim para” – u shpreh Halili.

Teuta pëson humbjen e parë sezonale, t’u shënosh bregdetarëve 3 gola në një ndeshje është diçka e rrallë në periudhën Martini. Pas një fillimi pozitiv, ku i morën maksimumin kalendarin, kampionët kthehen më këmbë në tokë, pa diskutim të mbrosh titullin është më e vështirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb