Nga: Klodiana Haxhiaj*

DURRES- Të tjera detaje dalin në dritë pas sherrit të djeshëm në tragetin e linjës Ankona-Durrës, ku disa persona u plagosën në sherrin ku u përfshi një kosovar, disa malazezë e maqedonas.

Duket se këngët patriotike që dëgjonte emigranti kosovar kanë rebeluar keqazi një grup personash nga Mali i Zi dhe Maqedonia. E ndërsa, Altin Hakami nga Mitrovica ka nisur të këndojë për Adem Jasharin dhe të tjera figura të luftës së Kosovës, ka plasur sherri. Tre shtetas malazezë dhe dy maqedonas kanë fyer dhe më pas janë konfliktuar me 36-vjeçarin Hakami, banues në Londër. Konflikti mes palëve ka përfunduar me 6 të plagosur. Mësohet se në sherr e sipër, kosovari ka plagosur rëndë me thikë një 28-vjeçar nga Mali i Zi, si dhe ka plagosur lehtë tre të tjerë. Në përleshje e sipër është plagosur dhe vetë Altin Hakami si dhe bashkëshortja e tij 35-vjeçare L. Hakami.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dje bënë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në ambientet e tragetit. Pas sinjalizimit për plagosjen e 6 personave, policia e qytetit bregdetar ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ka arrestuar 36-vjeçarin nga Mitrovica, i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gjithashtu, blutë kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” ndaj shtetasve maqedonas Dalibor Jovanoviç, 36 vjeç dhe Viktor Krstevski, 34 vjeç si dhe shtetasve malazezë Dragan Kovaçeviç, 29 vjeç dhe Dragisa Gogiç, 25 vjeç.

NGJARJA
Rreth orës 03:30 të së mërkurës, konflikti mes një kosovari dhe disa shtetasve malazezë e maqedonas për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Gjithçka ka nisur, pasi emigranti Altin Hakami ka nisur të këndojë këngë patriotike në tragetin e linjës Ankona-Durrës. Këngët e 36-vjeçarit, i cili po udhëtonte së bashku me gruan dhe fëmijët e tij nga Londra për ca ditë pushime në vendlindjen e tij në Mitrovicë, kanë indinjuar tre shtetas malazezë e dy shtetas maqedonas, të cilët po qëndronin së bashku. Këta të fundit, teksa ishin dendur me birra, kanë nisur të fyejnë e të shajnë Hakamin si dhe të gjuajnë në drejtim të tij dhe të familjarëve të tij me shishe birre. I gjendur i vetëm përballë pesë personave, emigranti kosovar ka marrë një thikë dhe ka plagosur rëndë shtetasin V.M., 28 vjeç, banues në Malin e Zi. Gjithashtu, kosovari ka goditur e plagosur lehtë shtetasit malazezë Dragan Kovaçeviç, Dragisa Gogiç si dhe maqedonasin Viktor Krstevski. Ndërkaq, edhe kosovari dhe gruaja e tij janë plagosur nga goditjet me shishe birre. Mësohet se 28-vjeçari malazez është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 4 të plagosurit e tjerë janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit. Policia ka arrestuar 36-vjeçarin nga Kosova, ndërsa ka lënë të lirë protagonistët e tjerë të konfliktit, pra shtetasit malazezë e maqedonas.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb