Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka vendosur të shtyjë mbledhjen e thirrur për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për shkak të situatës shqetësuese të krijuar nga koronavirusi.

Njoftimi i Prokurorisë:
Prokurori i Përgjithshëm Z.Olsian Çela nisur nga vijueshmëria e gjendjes së epidemisë në vend të krijuar nga përhapja e COVID-19, me synimin për të siguruar dhe mbrojtur shëndetin e prokurorëve, duke kufizuar dhe parandaluar transmetimin dhe përhapjen e COVID-19 ka vendosur shtyrjen deri në një njoftim të dytë të mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mbështetur në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Prokurori i Përgjithshëm çmon se shmangja e grumbullimeve të këtij lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, është e vetmja garanci për kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe garanton mbarëvajtjen e punës në ambiente të shëndetshme dhe vijimësi normale të veprimtarisë në ushtrimin e kompetencave në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke mbrojtur shëndetin e prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, punonjësve të administratës dhe të qytetarëve.

Përbërja aktuale e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk cënon vendimmarrjen e këtij organi dhe garanton mirëfunksionimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb