Koha e keqe me shira të rrëmbyeshëm në Qarkun e Gjirokastrës, përgjatë 24 orëve të fundit, ka sjellë problemet e para.

Rreth 80 familje në lagjen “Lenxat” janë bllokuar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, që ka bërë që ujërat e përroit të Sopotit të dalin nga shtrati, duke pamundësuar kalimin e mjeteve nga ana tjetër e rrugës. Erozioni i shkaktuar nga prurjet me intensitet të përroit ka rrezikuar muret rrethuese të banesave të zonës.

Bashkia Gjirokastër ka nisur ndërhyrjen për pastrimin e inerteve dhe hapjen e rrugës në Lazarat. Situata përsëritet në këtë lagje sa herë ka reshje të dendura shiu. Ndërkohë, nga reshjet e dendura të shiut janë shkaktuar edhe probleme serioze në furnizimin me energji elektrike për disa zona.

Burime zyrtare konfirmojnë se OSHEE Rajoni Gjirokastër ka konstatuar defekte serioze në katër fidëra të linjës 10 kV. Konkretisht ka mungesë energjie në Kordhocë të Lazaratit, në fshatin Bulo, disa fshatra të Njësisë Administrative Zagorie dhe Grapsh në Njësinë Administrative Dropull, si dhe në fshatin Maricaj Njësia Administrative Buz. Ndërkohë, grupet e OSHEE ndodhen në terren për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga koha e keqe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb