Një rast i magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të dyshuara të kontrabanduara është zbuluar në Durrës. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar qindra fishekzjarrë dhe kapsolla të llojeve të ndryshme, ndërsa në pranga ka rënë një 18-vjeçar.

Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, zbuluan një dyqan në lagjen nr. 12, ku tregtoheshin lëndë piroteknike të dyshuara të kontrabanduara.

Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi R. C., 18 vjeç, banues në Durrës. Ai dyshohet se shiste fishekzjarrë dhe kapsolla si në dyqan, ashtu edhe online, ndërsa i magazinonte ato në banesën e tij.

Ndërkohë, në procedim penal është vënë edhe një 24-vjeçar, me inicialet O. D., i cili dyshohet se ka tentuar të fshehë lëndët piroteknike. Ai është kapur pranë banesës së 18-vjeçarit, teksa transportonte me automjet fishekzjarrë dhe kapsolla të marra prej andej.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale qindra fishekzjarrë dhe kapsolla të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe dy telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb