Drejtori i informacionit dhe programacionit në News24, Robert Rakipllari ka folur në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës për procesin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Rakipllari ka deklaruar se Presidenti Meta po gjykohet për mendimet e tij pasi Komisioni tani ka nxjerrë vetëm deklarata.

Për Rakipllarin mund të flitet për krim verbal nga Presidenti, që nuk përfshihet tek krimet e rënda apo shkelje e Kushtetutës.

Ai thotë se bie dakord me Komisionin vetëm për deklaratat e Metës kundër ambasadores Yuri Kim që mund të cënojnë marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

‘’Kemi dy aspekte, aspekti politik e kushtetues. E kam ndjekur me shumë vëmendje Komisionin dhe deklaratat e Hysenit. Është një Komision që ka vepruar në mënyrë skurpuloze. Çfarë kemi parë në publik. Kemi parë deklarata të Presidentit, marrë nga emisionet dhe daljet publike.

Është e qartë që edhe personalisht, duke e parë nga këndi i interesit publik nuk do e preferoja një profil të Presidentit protagonist si ky i Ilir Metës.

Nuk na thanë ku shtë shkelja. Presidenti shkarkohet vetëm për një shkelje të rëndë të Kushtetutës ose krim të rëndë.

Tani, në gjithë çfarë kam parë unë nga Komisioni, mund të flitet për krim verbal. Nëse krimet verbale janë krime të rënda apo të Kushtetutës, atëhere më thoni, po pres.

Unë mund ti përfshi në një nen, liria e shprehjes. Nga viti 90 e këtje nuk quhet krim, mund të ketë masë administrative për shpifje. Kemi një President që po e gjykojmë për mendimet e tij.

Nëse Presidenti mendon, ka mendimin e tij ashtu si një pjesë e shqiptarëve që kjo qeveri është rrezik për demokracinë, a ka bërë krim, a ka bërë shkelje të rëndë?

Nëse konstaton se ka shkelje nga mazhoranca, po bën shkelje dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në interes të vendit, kemi 50 kallëzime në SPAK. A është shkelje kjo?

Ku është shkelja kushtetuese e rëndë?

Nëse kishim një shkelje të interpretueshme si shtyrja e zgjedhjeve të 30 qershorit, që ishte akt i tij. Komisioni i Venecias e konsideroi shkelje, por jo të rëndë.

Pse nuk u konsultua me Venecian Komisioni? Që ta quante shkelje? Ka një interpretim në të cilin unë bie dakord me ju, pika ku bie dakord, deklaratat e tij kundër ambasadores së SHBA që mund të cënojë marrëdhëniet me një aleate si SHBA.’’- tha Rakipllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb