SHKUP- Në vazhdën e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë për mbështetje të referendumit të 30 shtatorit, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas zhvilloi një vizitë në Maqedoni. Ai u pri në takim nga homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Maas inkurajoi qytetarët e Maqedonisë që të jenë pjesë e ndryshimeve historike siç është Marrëveshja e Prespës dhe që të mos e humbasin shansin e rëndësishëm dhe të vetëm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Sipas tij, Maqedonia dhe i gjithë Ballkani Perëndimor do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e integrimit.

“Nuk mund të ketë moment më të mirë për vizitë këtu, e pastaj do të shkojë edhe në Greqi. Ju me Qeverinë Greke e keni bërë lëvizjen historike pas plotë 25 vitesh, ndërsa tani është në dorën tuaj që këtë shans historik të këtij kontesti ta zgjidhni njëherë e përgjithmonë. Propozoj që më 30 shtator qytetarët e këtij shteti ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë. Vëlla Nikolla, ti gjatë kohë ishe pjesë e bisedimeve për emrin dhe personalisht ke merita të mëdha për angazhimin, andaj dua të të përgëzojë. Vitin e ardhshëm mund t’i filloni bisedimet për hyrjen në BE, ndërsa ne jemi PËR perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimorë”, tha Heiko Maas.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se referendumi i 30 shtatorit do të mundësojë fillimin e ndërtimit të një ardhmërie më të mirë për gjeneratat e reja në vend. Ai tha se qëllimi i Qeverisë nuk është vetëm tek integrimi i Maqedonisë në BE, por te krijimi i standardeve evropiane brenda shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb