Shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k ka sqaruar incidentin e sotëm tek Landfilli i Sharrës duke deklaruar se punonjësit e saj nuk kanë penguar asnjë përfaqësues të PD të hyjë brenda territorit të pretenduar.

Në një deklaratë zyrtare për shqyp, Shoqëria konçesionare deklaron se punonjësit e mirëmbajtjes ftuan përfaqësuesit dhe anëtarët e PD të futen brenda, pa kërcënim dhe shantazhim, por ata refuzuan.

Sipas Shoqërisë, kjo është një shpifje e ulët nga PD dhe i bën thirrje liderit opozitar Lulzim Basha të ndalë akuzat, kërcënimet dhe shpifjet, si dhe të njihet nga afër me projektin madhor dhe të vizitojë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë.

Sot përfaqësuesit e PD, Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi ishin tek Landfilli i Sharrës dhe kanë deklaruar se kërkonin të hynin në ambientet e brendshme të tij, por më pas kanë theksuar se janë penguar, kërcënuar dhe shantazhuar nga punonjësit e Shoqërisë konçesionare të Landfillit. Më pas ata kanë dorëzuar dhe një kallëzim penal në Polici për këto akuza të pretenduara që Shoqëria “Integrated Energy BV SPV” i konsideron shpifje të ulëta.

DEKLARATA ZYRTARE

Tiranë më, 18.10.2020

Nga: Shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Deklaratë

Shoqëria konçesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k është një shoqëri me investitorë të huaj, e cila çdo ditë po përballet me sulme dhe gënjeshtra të paprecedenta. Sot u njohëm me një tjetër shpifje të ulët, sipas të cilës punonjësit tanë kanë penguar dhe agresuar përfaqësues të Partisë Demokratike. Sot në orët e para të mëngjesit disa punonjës të mirëmbajtjes në Landfill  ftuan për të hyrë brënda disa anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët qëndronin jashtë territorit të Zonës së Trajtimit të Mbetjeve.  Ftesës së punonjësve për tu njohur me projektin përfaqësuesit e Partisë Demokratike ju përgjigjën negativisht. Pranë tyre shkuan punonjësit e gjelbërimit, të cilët më pas në media mësuam se u akuzuan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike si individë të paidentifikuar që shantazhuan dhe kërcënuan anëtarët e Partisë Demokratike. Bëjmë me dije, se ata punonjës janë jo vetëm pjesë e kompanisë, por dhe e komunitetit të zonës që jetojnë prej vitesh me Sharrën dhe janë pjesë e ndryshimit të saj. Ashtu siç shihet edhe në atë video jo të plotë që vetë Partia Demokratike ka shpërndarë, punonjësit e kompanisë ftojnë përfaqësuesit politikë të hyjnë brënda, por ata në të gjitha rastet jo vetëm refuzojnë, por i marrin dhe në pyetje. Me keqardhje vëmë re, se përpjekjet për të kthyer këtë situatë në shantazhim apo kërcënim nga ana e kompanisë dhe për tu viktimizuar nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike janë të ulëta dhe keqdashëse. Denoncimi në polici për shkak se punëtorët nuk kanë mbajtur qetësi gjatë leximit të deklaratës nga anëtarët e Partisë Demokratike, është një tjetër veprim i ulët për shpifjen e rradhës, e cila nuk viktimizon dot askënd dhe nuk mund të njollosë as kompaninë dhe as punonjësit tanë.  I bëjmë thirrje Z. Lulëzim Basha dhe Partisë Demokratike të ndalojë akuzat, kërcënimet, shpifjet dhe të pavërtetat që deklaron çdo ditë në adresën tonë. Ftojmë z.Basha dhe këdo që ka interes të vizitojë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë, të njihet nga afër me këtë projekt madhor.

Ju faleminderit

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb