Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se, qeveria shqiptare ka nënshkruar një kontratë huamarrje me GIZ për landfill.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tabaku ka ndarë një video nga diskutimi në Komisionin e Ekonomisë në qershor kur ky projekt kaloi për miratim, ku thotë qeveria shqiptare po shpërfill këshillat e ambientalistëve dhe Bashkimit Evropian

“Tetë vjet pasi i kanë dhuruar tre personave me duar në xhepa që kishin njohje qeveritare, copën e parë të 430 milion eurove në Elbasan, qeveria shqiptare nënshkruan një kontratë huamarrje me GIZ për të njëjtin subjekt”.

“Shtatë vjet pasi i dhuruan po të njëjtëve njerëz kontratën e koncesionit të inceneratorit të Fierit, 30 milion euro, qeveria shqiptare që shpërfilli gjithë këshillat e ambientalistëve dhe Bashkimit Europian kundër incenerimit, ka marrë një kredi nga GIZ për landfill”, theksoi Tabaku.

“Gjashtë vite pasi në bashkë-ortakëri me kryebashkiakun Veliaj e njëjta qeveri i dhuroi të njëjtëve njerëz monopolin e mbetjeve dhe dherave në gjithë qarkun e Tiranës me vetëm një firmë të kryebashkiakut Veliaj, qeveria pranon të marrë një kredi nga GIZ po për të njëjtën punë që ka nënkontraktuar edhe paguajnë Mërtirin-Zoton-Gugalljan”, shtoi Tabaku.

“Pasi i kanë bërë avokatinë publike inceneratorëve, duke i mbrojtur personalisht dhe politikisht të gjithë ata që sot janë në kërkim dhe mbi të gjitha ata që sot fshihen pas karriges të pushtetit, pasi kanë dhuruar 430 milion euro nga taksat e qytetarëve. Kjo mazhorancë ka vendosur të rikthehet pikërisht në ato projekte dhe ato politika që Partia Demokratike ua ofroi si një alternativë në vend të koncesionit 430 milion euro”, nënvizoi Tabaku.

“Për tetë vjet i kanë gënjyer shqiptarët, kanë vjedhur 430 milion euro, kanë mbrojtur bashkëfajtorët në vjedhje dhe tani duan t’ia hedhin lumit me një kredi nga GIZ dhe me projekte të BE që lidhen me politikat që i përbuzën. Shenjat e një qeverie në krizë identiteti dhe një mazhorance që nuk e di ku e ka kokën”, theksoi Tabaku, e cila ndau edhe një video nga diskutimi në Komisionin e Ekonomisë në qershor kur ky projekt kaloi për miratim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: