VLORË

Një shpërthim i fortë ka ndodhur gjatë natës në Vlorë në lagjen “28 nëntori”. Gazetari Enrik Mehmet raportoi për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur në afërsi të qendrës së qytetit ku dyshohet se i është vendosur një sasi eksplozivi automjetit të prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë Albert Kuliçi.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit, ndërkohë që makina tip “Volkswagen” e prokurorit Kuliçi e cila është djegur në një pjesë të mirë ka qenë e parkuar në afërsi të banesës së tij.

Nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht edhe një automjet tjetër i parkuar afër. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar megjithëse mjeti ishte i parkuar në një zonë tepër të banuar dhe pranë pallateve.

Print
Print

Policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes, ndërsa dyshohet se ka lidhje me detyrën e Kuliçit. Janë sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë në një perimetër rreth 1 km. Po kështu është marrë edhe dëshmia e prokurorit, i cili ka hetuar një sërë dosjesh të rëndësishme për çështje pronash, si ajo për tokat në bregdetin e Zvërnecit.

Informacion Paraprak
Rreth orës 06:45, në lagjen “29 Nëntori” Vlorë, automjeti tip “Volkswagen” me targë AA 583OO dyshohet se është dëmtuar plotësisht me lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit dyshohet se është dëmtuar pjesërisht edhe një automjet tjetër i parkuar afër.

Nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mjeti “Volkswagen” është në pronësi të shtetasit A.K., me detyrë Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
Për këtë ngjarje, është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të cilët po merren me zbardhjen e ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb