Derisa dhjetëra mijëra njerëz ikin mes frikës nga një shpërthim tjetër vullkanik në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos (RDK), shumë fëmijë rrezikojnë të ndahen nga familjet e tyre, tha një organizatë joqeveritare të enjten vonë.

Organizata “Save the Children” tha se të paktën 243 fëmijë janë akoma të ndarë nga prindërit e tyre, ku shumica prej tyre janë vendosur në strehim të përkohshëm familjar dhe qendra transiti pas shpërthimit vdekjeprurës të vullkanit Nyiragongo më 22 maj.

“Ne mund të shohim se situata në rrethin Goma po përkeqësohet. Tërmetet po vazhdojnë në rajon, të cilat tashmë kanë filluar të shkatërrojnë shtëpitë, shkollat ​​dhe infrastrukturën. Gjysmë milioni njerëz janë pa ujë, gjë që rrit rrezikun e një shpërthimi të kolerës”, tha Edouard Niyonzima, një punëtor humanitar për “Save the Children” në Goma.

Një pjesë e qytetit Goma është evakuuar që nga e enjtja herët.

Sipas guvernatorit ushtarak të provincës Kivu Veriore, gjeneral-lejtnant Constant Ndima Kongba, shkencëtarët po paralajmërojnë shpërthime të mëtejshme vullkanike në tokë dhe nën liqenin Kivu.

“Fokusi ynë kryesor është mbrojtja e të gjithë fëmijëve, veçanërisht përmes gjurmimit dhe ribashkimit të familjeve. Shëndeti mendor dhe mbështetja psikologjike është një komponentë kryesore për t’u ofruar komuniteteve dhe fëmijëve të prekur”, tha Amavi Akpamagbo, drejtori i “Save the Children” në RD të Kongos.

“Numri i të vdekurve nga shpërthimi i fundit vullkanik në RD të Kongos arrin në të paktën 32, ku shumica e njerëzve ishin bërë hi nga llava dhe janë asfiksuar nga tymi”, thuhet më tej.

Të paktën 250 persona humbën jetën kur vullkani Nyiragongo shpërtheu në vitin 2002 ndërsa mbi 120 mijë banorë mbetën pa strehë ndërsa llava derdhej në Goma.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb