Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në pikën e karburantit “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë.
Sipas vlerësimit paraprak të grupit të inspektimit, zjarri dyshohet se ka nisur nga një automjet brenda territorit të pikës së karburantit, ndërsa më pas është shoqëruar edhe me një shpërthim.
ISHTI sqaron se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburantit, duke hedhur poshtë dyshimet e para se incidenti mund të kishte nisur nga depozitat e karburantit.
Në njoftimin zyrtar, ISHTI thekson:
“Nga vlerësimi paraprak i grupit të inspektimit të ISHTI në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve Skënderi G sh.p.k., me vendndodhje tek Brryli, Tiranë, rezulton se: Nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet brenda territorit të stacionit të karburantëve, që është shoqëruar edhe me eksplozion.”
Si pasojë e shpërthimit, tre punonjës të karburantit mbetën të plagosur. Ata janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në ambientet e karburantit, ndërsa dëmtime ka pësuar edhe një automjet.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkakun e incidentit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
