TIRANË

Detaje të reja dalin në dritë një ditë pas shpërthimit pranë shkollës ‘Vasil Shanto’ në Tiranë. Burime nga policia thanë për Balkanweb se është shpallur në kërkim shtetasi Arben Bardhi nga Lezha, ndërsa shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt pronësie në lidhje me banesën së cilës iu vendos tritoli.

Policia thotë se ky shtetas mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:10, në rrugën “Mihal Popa”, dyshohet të ketë vendosur në derën e jashtme të banesës së një shtetasi një sasi lënde plasëse nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Po sipas të njëjtave burime Bardhi e ka lënë kolateral në bankë banesën në fjalë e cila i është sekuestruar pasi nuk e ka shlyer kredinë. Sipas procedurave, banka e ka nxjerrë apartamentin në shitje, i cili është blerë më pas nga Vasillaq Stavri, por autori i dyshuar nuk e njeh këtë akt shitje, duke patur ende pretendime mbi pronësinë e banesës.

Shpërthimi në katin e dytë të pallatit, shkaktoi panik të banorët ndërsa dëme material u regjistruan edhe në katin e tretë. Forca shpërthyese e eksplozivit dëmtoi dyert e apartamentit në katin sipër të cilat mbeten të mbyllura.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: