Ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi në Spitalin e Traumës në Tiranë, dy turistët zviceranë që u shpëtuan pas një aksioni të koordinuar të disa strukturave shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, të bllokuar nga dëbora, në një zonë të vështirë të malit të Korabit.

Ministri u interesua rreth shëndetit të tyre dhe me këtë rast falënderoi oficerët e KFOR që realizuan transportin helikopter, nga një pikë e vështirë malore në zonën e Kalasë së Dodës.

Në një status në rrjete sociale lidhur me këtë ngjarje, Ministri Balla shprehet se:
“Si në shtëpinë dhe në besën e shqiptarit. Ka përfunduar me sukses shpëtimi i dy turistëve zviceranë, të bllokuar në Malin e Korabit, njëri prej te cilëve kishte dëmtuar gjymtyrët e poshtme për shkak të një orteku dëbore. Mirënjohje forcave të Policisë së Shtetit, të Policisë së Kosovës, Federatës së Alpinizmit të Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe KFOR, pa angazhimin e të cilëve nuk do të ishte bërë i mundur ky operacion i vështirë shpëtimi”.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan gjithashtu forca të policisë së rendit, të policisë kufitare, banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb