Nga: AHMET SHQARRI*
Mund të vijë, ndoshta edhe jo, por ardhja e Maradonës për “festën” e stadiumit nuk do ta shpëtonte futbollin shkodran nga hallet që e kanë zënë. Një lajm i botuar këto ditë, pavarësisht se sa i vërtetë është, se vetë magjia e futbollit botëror – Maradona, mund të jetë i pranishëm në ditën e përurimit të stadiumit të rikonstruktuar “Loro Boriçi”, nuk mund të shërbejë për gjë tjetër, veçse si një shashkë për tymosjen edhe më shumë të trurit tonë, që edhe kështu, është bërë thuajse blozë.
Kush nuk ka hyrë e ka dalë në këtë vend, madje jo vetëm një herë, që nga vetë Papa i viteve ‘90 të shekullit që shkoi, dhe ky tjetri i këtij fillimshekulli, e përsëri ne jemi po ata, të njëjtët, në çdo plan që të na shohësh, të parët në autolëvdata dhe mburrje, si kryeqendra e botës së papërlyer, ndërkohë që baltën e vërtetë vazhdojmë ta kemi aq shumë nëpër këmbë, saqë një ditë rrezikon të na mbulojë e gjitha. Gjithsesi, janë edhe “shenjtorë” të tjerë të kësaj bote që e kanë “bekuar” këtë vend, që megjithatë vazhdon të çalojë si mos më keq. Meqenëse bëhet fjalë për një temë sportive, ia vlen të kujtojmë se këtë fushë shqiptare e kanë prekur kohë më parë, por edhe së fundi, mjaft nga personalitetet më të larta të institucioneve ndërkombëtare, që nga më jetëgjati i KON-it-Avelanzh, e deri te Blater e Platini, krerë të futbollit botëror dhe atij europian, që jo vetëm nuk arritën të na fusin në “rrugën e Zotit”, por përkundrazi, u infektuan me sa duket prej sëmundjes sonë deri në të nivel, saqë tani ata kanë përfunduar nëpër dyer hetuesish dhe gjykatash, për shkak aferash të pista e korrupsionit qindra miliona eurosh që i ka përfshirë!
Të mbërthyer pas suksesit të Kombëtares, e cila në 12 dhjetorin e ardhshëm pret të njihet me kundërshtarët e grupit për finalet europiane të “Francë 16”, ne harrojmë se jeta nuk është një festë e pambarimtë dhe se në përditshmërinë tonë duhet të jemi më realistë ndaj çdo ngjarjeje tjetër, të cilën, e gëzuar apo e trishtë, duam apo nuk duam, jemi të detyruar ta përjetojmë. Por, siç shihet, dikujt i pëlqen që nëpërmjet spekulimesh të ndryshme, t’i bëjë të tjerët të besojnë se në këtë vend është më mirë të të tregojnë përralla e të të mbushin plot rrena e demagogji, sesa ta shohim drejt e në sy të vërtetën! Të kësaj natyre janë edhe disa diskutime dhe analiza gjithfarësoj që dëgjohen gjithandej, prej ca specialistësh futbolli, që të shndërruar në analistë, rreken të na mbushin mendjen me lëvdata për federatën përkatëse, duke e zëvendësuar si pa të keq fanellën e futbollistit të dikurshëm, me kostumin e servilit që i vjen për shtat zyrtarit burokrat, rol të cilin ata po e bëjnë gjithë zell e pasion. Më artificial dhe mjeran duket ky lloj analisti, kur suksesin e Kombëtares kërkon ta përçojë si të tillë edhe në futbollin vendas, kur kushdo e di fare mirë se ky duet nuk ka të bëjë fare me njëri-tjetrin. Si ato vajtocat e dikurshme që “qanin” sa për të kaluar radhën për ata që iknin nga kjo botë, këta lloj tipash, pasi derdhin lot krokodili e na mbushin me nostalgji për traditën e klubit të cilit i paskan shërbyer në të kaluarën, por që tani ndodhet në gjendje kritike, gjejnë rastin për të na larguar nga “vakia”, duke ngulur këmbë se ky futbolli ynë, megjithatë, është i suksesshëm, çka duan ta mëshirojnë te pjesëmarrja e “Skënderbeut” të Korçës në grupet e Ligës europiane. Veç të tjerave, ata s’duan t’ia dinë për humbjet e kampiones sonë në të tria ndeshjet e zhvilluara deri tani, ku e fundit ishte një përmbytje e vërtetë golash, por mjaftohen vetëm me pjesëmarrjen e saj atje, sikur pikërisht këtu të fshihej ajo, “bukuria” e kampionatit tonë! Këta lojtarë e trajnerë që tashmë janë kthyer në zyrtarë federate apo në sajesa të llojit “analist”, nuk guxojnë të thonë apo të pranojnë se, me të vërtetë ekipi ynë kampion është më i miri i këtij futbolli që luhet këtu, por jo aq rivalizues në arenën ndërkombëtare, siç përpiqet dikush të na e shesë, kur shihet fare mirë se si mbushen stadiumet nëpër vendet e tjera dhe si i gëzohen turmat spektaklit të dhuruar atje, krejt ndryshe nga ajo çfarë ngjet te ne.
Këtu, mjafton një lajm i mundësisë së ardhjes së Maradonës në Shqipëri pas rikonstruksionit të një stadiumi(?!), që ta kthejë në festë mjedisin shqiptar. Për të pritur, pastaj ndonjë ndeshje si kjo e kësaj jave, mes dy kryesueseve, “Partizani”-”Skënderbeu”, për të thënë, ndoshta, ndonjë gjë që ia vlen për futbollin tonë, ndërkohë që disa nga “vajtocat” që cituam sipër, mezi presin rastin që ballafaqime të tilla t’ia adresojnë federatës përkatëse si suksesin e saj të radhës…

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: