Qytetarët janë mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë në protestën e 73-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar. Gjatë fjalimeve nga podiumi i protestës, vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës alarmante të zjarreve në vend dhe dorëheqjeve të fundit në radhët e drejtuesve të institucioneve.
Një prej protestuesve ka marrë fjalën duke ndaluar veçanërisht te dorëheqja e komandantit të shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, duke e cilësuar atë si një tregues të qartë të dështimit dhe braktisjes nga ana e qeverisë:
“Sot gjithë ditën kemi lexuar se komandanti i zjarrfikësve Arben Cara ka dhënë dorëheqjen. Ashtu siç dha dorëheqje komandanti i policisë së Tiranës, një deputete e PS dhe njerëz të ndërgjegjshëm që nuk e përballojnë dot punët e këqija dhe lënien në baltë të kësaj qeverie, dorëheqja e Arben Carës është një akuzë e rëndë ndaj shtetit, jo vetëm dorëheqje. Kur zjarrfikësit heronj përballen me flakët pa pajisjet elementare ndërsa fondet publike keqpërdoren, nuk mund të kërkohet heroizëm nga njerëzit që nuk kanë as mjetet e nevojshme. Është neglizhencë e shtetit të korruptuar.”
Më tej, protestuesi hodhi akuza të forta për abuzim me fondet publike përgjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, ndërsa përmendi vatrat e zjarrit që po djegin pasuritë kombëtare:
“Nëse paratë janë marrë por pajisjet mungojnë, dikush duhet të japë llogari dhe patjetër qeverisja e korruptuar 13-vjeçare e Edi Ramës. Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë pas zjarreve, por përgjegjësi, hetim e ndëshkim për çdo abuzim të fondeve publike. Parku Kombëtar i Lurës, pyjet e Mallakastrës, Kruja e historisë sonë dhe anembanë trojet digjen ndërsa kryeministri krihet sepse ka vjedhur miliarda të shqiptarëve. Taksat tona nuk shfrytëzohen siç duhet; ato mblidhen dhe kur Shqipëria digjet, kryehajduti krihet. Është koha të rrëzojmë këtë qeveri kriminale!”
