Nga: MARIGLEN MERTIRI*
TIRANE- 290 milionë lekë kushton projekti i qeverisë shqiptare për të skanuar dhe fotografuar në 3D gjithë territorin e vendit. Ky avion i kompanisë gjermane me teknologjinë më të fundit ka përfunduar fazën e parë të skanimit të zonave urbane, ndërsa deri në fund të shtatorit do të përfundojë edhe zonat rurale. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës këtë nismë për hartën dixhitale e cilësoi me plot risi krahasuar me skanimin e fundit të bërë mbi vendin tonë në 2007.

“Ky fotografim ajror do të na japë të dhëna të sakta mbi gjithë territorin e Shqipërisë, por jo vetëm një foto ajrore që është bërë për herë të fundit në vitin 2007. Por këtë herë ka një risi, me apartet brenda avionit do të skanohet territori për të pasur një pamje 3D. Kjo do të thotë që kemi të dhëna të sakta mbi godinat, pyjet, lartësitë e tyre…Fotoja ajrore do të shërbejë si bazë për hartën unike të Republikës së Shqipërisë. Për herë të parë kjo foto është bërë në bashkëpunim të ngushtë midis 10 institucioneve të cilat kanë rënë dakord që do të përdorin vetëm këtë hartë si referencë unike për dokumentet që ata prodhojnë. ”- tha ministrja Milena Harito.
Hartat e vjetra do të hidhen në system dhe do të shërbejnë si referencë por harta e re me të dhënat e sakta do të shërbejë edhe si mundësi krahasimi si për politikat zhvillimore ashtu edhe për skanimin e realitetit shqiptar.

“Krijimi i hartës së re krijon mundësi që hartat e vjetra të hidhen në një referencë unike. Përpara se të fillonte fotografimi ajror janë vendosur disa shenja në territor që të fiksohet referenca që cdo pikë të ketë koordinata të sakta. Pra të mos kemi më mbivendosje hartash për arsye teknike.”- shtoi Harito.

Në fund të këtij viti qeveria do të ketë mbi tryezë hartën e re dixhitale të territorit, e cila do të jetë e aksesushme nga institucionet dhe do të shërbejë si hartë unike ku gjeoportali i ndërtuar do të nxjerrë edhe analiza dhe krahasime të sakta.

Shqipëria do të ketë hartën e saj dixhitale ku qeveria dhe institucionet e sajë do të kenë një referencë të qartë për politikat zhvillimore. Ministrja e Inovacionit deklarojë se ka përfunuar faza e parë urbane ku kjo hartë do të përdoret si referencë nga institucionet publike ndërsa hartat e vjetra do të dixhitalizohen për të pasur mundësi analizimi të territorit në vite.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: