Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka komentuar situatën politike në vend dhe protestat që prej 101 ditësh zhvillohen kundër qeverisë së Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri duhet të largohet nga pushteti, pasi qëndrimi i tij në detyrë përbën një kosto për Shqipërinë.
I ftuar në emisionin “Vila24”, Ndoka deklaroi se dita më e mirë për të do të ishte ajo kur Edi Rama të largohej nga qeverisja.
“Mëngjesi im më i mirë do të jetë kur Shqipëria të çlirohet dhe Rama të largohet”, u shpreh Ndoka.
Duke folur për kryeministrin, ai tha se Rama do të ishte më mirë në opozitë, duke argumentuar se pushteti ka ndikuar negativisht në qeverisjen e tij.
“Rama më mirë në opozitë, e prishi pushteti. Është mirë të largohet. Çdo ditë në karrige është kosto për vendin”, deklaroi ai.
Ndoka theksoi gjithashtu se Rama ndodhet në një nga nivelet më të këqija të mbështetjes politike, duke përmendur si një prej treguesve edhe protestat e zhvilluara gjatë 101 ditëve të fundit.
“Është në kuotat më të këqija, përfshirë edhe protestat”, tha kreu i PDK-së.
