Nga: Lorisa Ylli*
Ja ku jemi. Ku? Në ditët kur e gjithë Shqipëria po zien nga bumi i azilkërkuesve që po largohen dita-ditës, por ne kurrsesi nuk mund të bëjmë bujë vetëm vendase. Ne (shqiptarët krenarë), kur bëjmë bujë, përpiqemi që të na njohin botërisht, madje për këtë kujdeset vetë kryeministri ynë. Nëse ka një tipar me të cilin shqiptari bën bujë, ajo është mendjemadhësia. Edhe kur jemi deri në fyt të mbuluar me turp, ku do bënim mirë të gjenim një zgjidhje për të dalë sadopak faqebardhë, sigurisht që nuk mundemi, prapë do drejtojmë gishtin gjetkë, por kurrsesi nga vetja. Kësaj radhe bëmë bujë të madhe, drejtuam gishtin drejt Europës. Mos mendoni se e drejtuam për të marrë shembull Europën që të përmirësojmë dhe veten. Jo! Ndodh e kundërta, madje Europa është fajtore për atë çka jemi ne sot, sepse na la me ëndrra. Shqiptarët kërkojnë azil sepse Europën e kanë ëndërr, por kur të shohin se sa keq është atje, keni për të parë se si do kthehen përsëri në rilindjen tonë të dashur.
Po po, ky ishte mesazhi i kryeministrit. Kur e pyetën si ndodhi ku bum azilkërkuesish nga Shqipëria, iu duk diçka shumë e zakonshme, madje çudi që ndodhi sot. Nuk u mjaftua me kaq, por vendosi të fliste në emër të të gjithë Ballkanit, ku për këtë temë fajin nuk e kishte askush tjetër përveçse Europa, që na la me ëndrra të parealizuara vetëm për çështjen e anëtarësimit, sepse nga deklaratat e përditshme të qeveritarëve, ne ia kalojmë dhe Europës, por të mërzitur që s’po na japin të drejtën e anëtarësimit, ne detyrohemi t’i plotësojmë ëndrrat në rrugë joligjore!
Fatkeqësisht, kjo është tragjikomedia që po kalojmë çdo ditë, ku në gjuhën e përditshme themi: na u ënjt koka. Në fakt, nuk dua të ndalem shumë gjatë te qeverisja; së pari, të gjithë jemi të qartë se kush na qeveris, e së dyti, nuk është ky thelbi për të shpëtuar vendin nga një dështim total ekonomik apo politik!
Nëse do më pyesni jam pro apo kundër çështjes së azilantëve, do përgjigjesha: absolutisht kundër! Nëse ne kemi ëndrra, ato duhet t’i realizojmë në vendlindjen tonë; kush na pengon, duhet të ikë pa valixhe. A e mposhtëm dikur diktaturën për të jetuar ëndrrën europiane apo thjesht për të shpëtuar nga Shqipëria? Sot pas shumë vitesh, situata përsëritet, por jo nga përndjekja diktatoriale e Enver Hoxhës, por nga një rilindjeje që u votua.
Jam shumë dakord me ju që ikni, këtu s’jetohet më, por ne, çfarë po bëjmë që këtu të jetohet?! A u zgjodh kjo qeveri nga shumica dërrmuese?! Atëherë, kjo shumica dërrmuese, pse na la një barrë kaq të madhe për të jetuar ne atdhedashësit e vërtetë dhe thjesht iku?! Shqiptarët, çfarë po bëjnë për ta ndryshuar gabimin e votës? Thjesht u dorëzuan! I dëgjon që betohen për atdhetarizëm nga një ndeshje futbolli, i dëgjon tek japin mend nga përtej kufijve se sa e duan Shqipërinë, por nuk kthehen, “sepse këtu nuk jetohet” thonë, e ndërkohë vijnë në votime dhe votojnë për të ikur, pra votojnë duke mos pasur besim as te vota e tyre.
Po po, ju keni një pjesë të mirë të fajit të situatës ku ndodhemi sot. Si mund të votoni ju për të mirat tona?! Të paktën, na bëni një nder dhe mos vendosni për ne. Ju këtu nuk jetoni, po mos na detyroni ne të jetojmë në këtë situatë tranzicioni të përhershëm. Ju e shikoni jetën tonë përtej kufijve, kurse ne e jetojmë realitetin tonë të trishtë çdo ditë duke e jetuar. Detyrohemi të jetojmë kështu sepse ju vendosni dhe për ne, vetëm me preferencat televizive të politikanëve tanë gallataxhinj! Po, kemi një kryeministër që tallet dhe vetëm ai qesh, mbase qeshni dhe ju atdhedashësit përtej kufijve me ne, sepse nuk ju dhimbsemi as ne, as vendi juaj. Tashmë ky realitet nuk ju përket, thjesht e ndiqni si tragjikomedinë e radhës ku prisni biletën ditën e votimit!
Asnjë qeverisje nuk mund të bëjë qejf në kurriz të qytetarëve nëse nuk jemi ne që ia lejojmë këtë. Shqipëria ka filluar të ngjajë me një lojë pingpongu së cilës nuk dihet se kur do i vijë finishi dhe ju po tregoheni tifozët e një loje të trishtë. “U prish koalicioni Rama-Meta, apo jo”?! Ç’do bëjnë shqiptarët e gjorë po u prishën këta të dy me njëri-tjetrin?! O atdhedashës interesash të ngushta egoiste, nuk shuhet Shqipëria po nuk bëri paqe PS-LSI-ja! Nëse do ishit kaq atdhetarë sa pretendoni, ku u hidheni në fyt të huajve po t’jua shajnë Shqipërinë, ju kurrë nuk do e braktisnit Shqipërinë në dorë të kësaj qeverisjeje ku duket sikur po rilind diktatura. Nëse je kundër, dikur shkoje në kamp përqendrimi, sot thjesht të lënë pa bukë! Nuk e ekzagjeroj fare kur them që kjo rilindje të lë pa bukë.
Situata është më shumë se dramatike, ditët e fundit po përkeqësohet edhe më shumë. Me mijëra braktisin të afërmit, shtëpitë, drejt së panjohurës, ku nuk dinë se çfarë i pret, sepse drejt së panjohurës mund të të shtyjë vetëm dëshpërimi. A ka përgjegjësi opozita për çfarë po ndodh? Pse nuk mundet opozita t’i ndalë dhe të fitojë besimin se ajo do qeverisë më mirë? Ata, azilkërkuesit kanë faj se ikën dhe na braktisën pasi e votuan rilindjen, kërkojnë të drejta në tokë të huaj, pa kërkuar llogari për premtimet që votuan. Absurde! Po ne si opozitë, pse nuk i ndaluam? Pikërisht kjo është pyetja që duhet ta shqetësojë opozitën për të ndalur pushimet. Vapa ikën me gushtin, por edhe shqiptarët, siç e shikoni, po i merr gushti.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: