Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në krah të kandidatit Belind Këlliçi për Bashkinë e Tiranës në një takim me të rinjtë e FRPD.

Berisha tha se sot Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i vitit 1990 që bazohej në doktrinën marksiste-leniniste, sot bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve.

“Të rinjtë ishin ata që bënë revolucionin demokratik të dhjetorit ‘90 dhe themeluan PD-në.
Të rinjtë ishin pa asnjë mëdyshje ata të cilët çuan mesazhin, dritën e lirisë dhe u përballën me monizmin më stalinist të Europës në atë kohë dhe u bënë promotorët e fitores së PD-së.
Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës dhe ndër më të izoluarit e planetit.
Shqipëria kishte nevojë për mendje të hapura dhe mendjet e hapura ishin mendjet e të rinjve. Në këtë kontekst, ata luajtën një rol kryesor në të gjitha reformat dhe transformimet e vendit.
Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i viteve ’90, që bazohej në doktrinën çnjerëzore marksiste, monizmi i sotëm bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Shqipëria sot ndodhet në një mobokraci”, tha Berisha.

Ai theksoi se Edi Rama sot kontrollon 10 përqind më shumë pushtete se diktatori i fundit komunist në vitin 1991.
“Në këtë kontekst, kjo mbështetje e juaj merr një rëndësi edhe më të veçantë. PD dhe forumi i saj, u themeluan dhe mbetën gjithnjë forca më perëndimore e vendit, lokomotiva të vërteta të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE.
Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet.
Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës”, u shpreh Berisha.

Ai citoi ish-Presidentin amerikan për të theksuar rrezikun që i kanoset demokracisë, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se kontaktoi kryezbuluesin e FBI si vrasës me pagesë ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.

“Ne erdhëm në një situatë kritike. Ronald Regan e thotë me të drejtë se demokracisë i mjafton një gjeneratë për t’u zhdukur.
Në njëfarë mënyre kjo po ndodhte në Shqipëri.
Edi Rama, që shëtit nëpër botë duke e ekspozuar shgarravina, të cilat dy kritikë i cilësuan shgarravina të një adulti të droguar, arriti të korruptojë kryezbuluesin e SHBA, të FBI, ta kontraktojë atë si vrasës me pagesë ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.
Ky skandal ka marrë përmasa botërore, por në ato kushte, kur vërtet po bëheshin përpjekje për të asgjësuar PD-në si forcë të të vërtetë politike opozitare, ishin të rinjtë, forumi rinor, i pari që mbështeti nismën me të cilën unë kundërshtova vendosmërisht atë përpjekje shkatërrimtare për opozitën shqiptare.
Ishte forumi rinor, drejtuesit e saj, ata të cilët kaluan me vendosmëri në mbështetje dhe ndërmorën procesin e rithemelimit të PD-së.
McGonigal nuk ishte një bajloz i zi solitar. Edi Rama kishte korruptuar edhe të tjerë. Megjithatë ne qëndruam”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb