Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar lidhur me situatën pranë Ministrisë së Arsimit pas protestës studentore e cila u shoqërua edhe me përplasje me forcat e rendit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë të rinjtë.
Salianji shprehet se Shqipëria po shpërfaq sot në shesh mllefin e akumuluar nga keqqeverisja, ndërsa revolta dhe zemërimi i të rinjve tregon se ky vend ende ka shpresë!
Demokrati dënon edhe reagimin e Policisë së Shtetit ndaj të rinjve protestues.
“Reagimi çnjerëzor i regjimit është dëshmi e agonisë politike të Ramës, e humbjes së çdo kufiri moral dhe e kalbëzimit të plotë të qeverisjes së tij”, shpreh ai.
Reagimi
Shqipëria po shpërfaq sot në shesh mllefin e akumuluar nga keqqeverisja, revoltën dhe zemërimin e të rinjve, duke treguar se ky vend ende ka shpresë!
Pamundësia për të jetuar me dinjitet, mungesa e meritokracisë, padrejtësia, pabarazia, kapja e shtetit nga krimi, korrupsioni masiv dhe mbyllja e çdo dere për një të ardhme më të mirë, ua kanë bërë të pamundur të rinjve të ndërtojnë jetën që meritojnë në vendin e tyre.
Reagimi çnjerëzor i regjimit është dëshmi e agonisë politike të Ramës, e humbjes së çdo kufiri moral dhe e kalbëzimit të plotë të qeverisjes së tij. Në vend që të dëgjojë qytetarët dhe të marrë përgjegjësi për gjendjen ku e ka zhytur vendin duke dhënë dorëheqjen, ai zgjedh dhunën, arrogancën dhe prepotencën për t’iu imponuar një shoqërie që nuk pranon më të nënshtrohet. Por një popull që ngrihet për dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e tij nuk mund të mposhtet me dhunë!
Shqipëria ka ende shpresë, sepse të rinjtë e saj nuk janë dorëzuar!
