Inva Mula dhe Elhaida Dani iu përcjellin një mesazh të gjithë shqiptarëve, të cilët po përballen me një periudhë të pazakontë të izolimit total, për shkak të përhapjes së koronavirusi.

Përmes ekranit të “News24”, dy këngëtaret e famshme iu kërkojnë shqiptarëve të zbatojnë sa më mirë masat kundër COVID-19 dhe të durojnë edhe për pak ditë, derisa ky virus të mposhtet.

Inva Mula: Të dashur qytetarë të Shkodrës, qytetarë të globit. Ka ardhur momenti që secili nga ne ka nxjerrë konkluzionet e veta. Ajo që ne duhet të bëjmë është të shpëtojmë jetët tona duke ndjenjur në shtëpi. Duke thënë kështu e mendoj se është, ndoshta dhe për temperamentin e shkodranit, disi e vështirë, pasi ne kemi nevojë të dalim, të dëfrejmë, të komunikojmë me njëri-tjetrin, e di që ndoshta janë dhe vështirësitë ekonomike, që na detyrojnë të dalim nga shtëpia, por unë e di që shqiptari di të sakrifikojë.

Ky është momenti që ne duhet të sakrifikojmë për jetët tona, familjet tona, dhe është hera e parë që duhet të mendojmë globalisht. Vetëm duke menduar kështu do të shpëtojmë planetin tonë, por mbi të gjitha duhet ta shpëtojmë me gjestin tonë, të qëndrojmë në shtëpi, të qëndrojmë sa më larg me njëri-tjetrin, që të ndërpresim zinxhirin e pandemisë. Ju lutem, rrini në shtëpi dhe mundohuni të shpëtoni jetën e gjithë globit.

Elhaida Dani: Unë kam vetëm një mesazh të shkurtër për të gjithë ju, le të qëndrojmë në shtëpi, le të qëndrojmë akoma të izoluar, të durojmë edhe pak, sepse kemi nevojë të ndihmojmë të gjithë njerëzit. Është e rëndësishme në këto momente të mos tregohemi egoistë. Është gjëja më e thjeshtë për të ndihmuar globin, njerëzimin, duke qëndruar në shtëpi.

Është hera e parë që na është kërkuar dicka kaq e thjeshtë për të bërë një gjë kaq të madhe për njerëzimin. Le të tregohemi të duruar edhe për pak ditë, le të tregojmë se mund ta bëjmë këtë. Nëse ne jemi të fortë, se jemi të rinj, le të mendojmë për prindërit tanë, njerëzit më të dobët. Kështu që le të bëhemi të gjithë bashkë dhe le të ndihmojmë njerëzimin në këto momente. Shkodër unë jam me ju.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb