Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Kirby deklaroi se kërcënimet e Iranit ndaj Izraelit janë “të besueshme” dhe “reale”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është informuar vazhdimisht nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare dhe SHBA synon të bëjë “çdo gjë të mundshme për të siguruar që Izraeli të mund të mbrohet”, ka thënë Kirby. “Do të ishte e pamatur të mos vlerësonim pozicionin tonë në rajon, për të siguruar që ne të jemi gjithashtu të përgatitur siç duhet”, ka shtuar ai.

Kirby nuk ka dhënë detaje për lëvizjet e mundshme të forcave amerikane në rajon.

Rreziqet e përhapjes së konfliktit të Gazës janë dyfishuar pas kërcënimeve të Iranit kundër Izraelit pas sulmit të 1 prillit që shkatërroi konsullatën iraniane në Damask dhe vrau 16 njerëz, duke përfshirë dy gjeneralë të Gardës Revolucionare, ushtrisë ideologjike të Iranit. Irani e konsideron Izraelin përgjegjës për sulmin.
Irani, i cili është armiku i betuar i Izraelit dhe aleat i Hamasit palestinez, kërcënoi se do ta “dënojë” Izraelin pas shkatërrimit të konsullatës në Damask.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb