Mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, foli lidhur me urdhrin e Prokurorisë për mediat në rastin e publikimit të të dhënave të dala nga hakerat.

Ai tha se mediat dhe gazetarët janë në të drejtën e tyre që të publikojnë informacionet që u vijnë në dorë.

Ndërkohë nga ana tjetër ai tha se reagimi dhe qëndrimi që kryeministri Edi Rama po mban për rrjedhën e informacioneve, është jo serioz.

“Tregon se ka një shqetësim nga qeveria për të dhënat që mund të kenë rrjedhur, ndaj dhe Prokuroria bën për herë të dytë këtë paralajmërim. Pa diskutim përgjegjësia bie mbi institucionet, por ka të dhëna sensitive që mund të bëjnë fjalë për emra konkret që mund të vendosen në risk. Nga ana tjetër pas presionit publik prokuroria ka bërë një njoftim tjetër për të hetuar përgjegjësit.

Duhet thënë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga komisioni i sigurisë, qeveria nuk ka ardhur të vijë të japë një sqarim.

Shtetit i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve, nuk ka mbetur gjë. Ka një trajtim jo serioz të kryeministrit për këtë çështje. Mendoj se media është në të drejtën e vet të publikoj informacion që i bie në dorë, prokuroria nuk ka çfarë i bën në këtë rast”, tha Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb