Prokuroria: Tentoi rrembimin e një vajze, por e ndaluan. Dy rrembime te tjera i tentoi brenda disa minutash
*Tentoi rrembimin nën thirrjet ‘Allahu Akbar”
*I ati: Vuan nga depresioni

VLORË-Duket se thirrjet e xhihadistëve ‘Allahu Akbar” duke vrarë njerëz kanë ndikuar dhe në çrregullimet nervore të njerëzve të ndryshëm. Keshtu dhe rasti i kosovarit ne Vlore. Veprimet e shtetasit D.Xhema në Vlorë ku tentoi të rrëmbente njerëz duke thirrur ‘Allahu Akbar’ janë cilësuar jonormale e të sëmura nga Gjykata e Vlorës, e cila ka dhënë sot “shtrim të detyruar në psikiatri” për shtetasin D.Xhema. Gjykata e ka cilësuar 29-vjeçarin kosovar si të sëmurë mendor dhe që ka nevojë ugjente për të marrë medikamente, pasi mund të jetë i rrezikshëm për shoqërinë nëse nuk trajtohet me medikamente.
Gjykata theksoi ne vendimin e dhene sot per Xhemen se;”Kemi te bejme me nje rast ku i akuzuari eshte nje person i semure, jo nje terrorist”.

Ndryshe nga Gjykata qe caktoi caktimin e masës me shtrim të detyruar në Spitalin Psikiatrik, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot caktimin e masës së sigurisë, ‘Arrest me burg” për shtetasin kosovar. D. Xhema, por kjo u rrezua nga trupi gjykues.

Në dalje nga Gjykata, avokati i tij Saimir Vishaj theksoi se akuza është pak e rënduar, pasi djaloshi nga Mitrovica nuk përbën rrezik për qëllime terroriste. “Ai është vetëm një i sëmurë dhe jo një terrorist. Është i rëndësishëm fakti që gjykata vendosi ta shtrojë në spital”, tha ai.

Pas vendimit të gjykatës, babai i tij ka pranuar se i biri i tij ka probleme të shëndetit mendor: “Vuan nga depresioni prej vitit 2010. Ka bërë krime të vogla në Kosovë, por jo gjëra të mëdha”, tha ai.

Me 16 gusht D. Xhema, shtetas kosovar është vënë në pranga nga policia e Vlorës pasi për 2 orë me radhë ka terrorizuar banorët në vende të ndryshme të qytetit. Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë u arrestua pasi dhunoi fizikisht, psikologjikisht si dhe tentoi rrembimin me mjetin e tij “Audi” me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh. Këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.

Ndërkohë mediat e huaja e pasqyruan ngjarjen në Vlorë duke iu referuar një rasti të ngjashëm terrorizmi.

PROKURORIA E KRIMEVE TE RENDA
Edhe pse Gjykata caktoi caktimin e masës me shtrim të detyruar në Spitalin Psikiatrik, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot caktimin e masës së sigurisë, ‘Arrest me burg” për shtetasin kosovar. D. Xhemai dyshuar për veprën penale të “Veprimeve me qëllime terroriste”.

Prokuroria zbardh dosjen e hetimit, duke sjellë detaje nga veprimet e Xhemës në mes të gushtit.
Ky person është arrestuar në flagrancë nga ana e forcave të Policisë së Vlorës, pasi në dt. 16.08.2016, ka tentuar të rrëmbejë me forcë tre persona të ndryshëm, të panjohur për të, në rrugët kryesore të qytetit.
Nga veprimet e deritanishme hetimore, rezulton se, i dyshuari udhëtonte në rrugët e qytetit me mjetin e tij, tip Audi A5. Në tre momente të ndryshme, ai ndalonte makinën dhe ka tentuar të marrë me forcë dhe t’i marrë në makinën e tij, 3 persona, dy meshkuj dhe një femër. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se ai shfrytëzonte forcën e tij fizike për të tërhequr me dhunë persona që nuk kishin asnjë njohje dhe asnjë lidhje me personin e dyshuar.

Vendet e përzgjedhura prej tij për të tentuar rrëmbimin e personave ishin rastësore. Personi i parë, një vajzë, është tentuar të rrëmbehet në rrugë, pranë një karburanti. Vajza, e tronditur nga veprimet e shpejta dhe të forta të të dyshuarit, ka kërkuar ndihmë, në kohën kur Xhema ka përdorur forcën për ta hipur të dëmtuarën në mjetin e tij. Ndërhyrja e disa personave që gjendeshin në atë moment e penguan agresorin të realizonte qëllimin e tij, i cili u detyrua të largohej vetëm në mjet.

Më tej, i dyshuari ka vijuar udhëtimin në rrugët e qytetit të Vlorës dhe ka ndaluar përballë një lokali, ku gjendej vetëm një djalë, i ulur në një tavolinë. I dyshuari Xhema i ka bërë shenjë që djali të afrohet dhe ky i fundit, duke menduar se mund ta ndihmonte me ndonjë informacion, ka shkuar pranë makinës së agresorit. Ky i fundit ka tentuar ta rrëmbejë me forcë, duke e goditur me grusht në fytyrë. Djali është larguar me shpejtësi, duke hyrë në tualetin e lokalit. Por, edhe aty, Xhema ka shkuar dhe, duke shkatërruar me forcë derën e tualetit, e ka goditur sërish me grusht në fytyrë dhe e ka tërhequr me forcë për ta nxjerrë jashtë lokalit. Sërish, disa persona të rastësishëm kanë ndërhyrë, duke e shmangur sërish qëllimin e agresorit, i cili hipi në mjetin e tij dhe u largua me shpejtësi.

Pak minuta më vonë, ai i ka bllokuar rrugën një mjeti tip BMV, në drejtimin e së cilës ka qenë një djalë, i shoqëruar nga një miku i tij. Agresori Xhema, pasi e ka detyruar të dëmtuarit të ndalojë mjetin, ka tentuar ta nxjerrë atë me forcë nga xhami i shoferit. Pas disa tentativave të dështuara, në atë moment kanë ndërhyrë forcat e Policisë, të cilat ishin njoftuar për dy rastet e para dhe ishin vënë në kërkim të mjetit të shtetasit kosovar Dijar Xhema.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet se Dijar Xhema ka konsumuar elementët e veprës penale të “Veprimeve me qëllime terroriste”, në formën e parashikuar nga neni 230, pika “g” të Kodit Penal, sipas të cilit:
g) pengmarrjen ose rrëmbimin e personit dhe kanosjen për të vrarë, për të plagosur ose për të vazhduar mbajtjen e tij peng;

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: