DURRES– Gjykata e Durrësit mori në shqyrtim çështjen në ngarkim të Alket Hatijas, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Në seancën e parë të zhvilluar, prokurori njohu trupin gjykues me dosjen “Hatija” dhe kërkesën për ekstradimin e tij drejt Italisë

I akuzuari Hatija, i shpallur në kërkim u përfaqësua nga avokati, i cili tha se ai e ka kryer dënimin për veprën penale që e kërkon drejtësia italiane dhe se nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën vepër.

Pasi u njoh me kërkesën e prokurorit dhe palës mbrojtëse, gjyqtari i çështjes vendosi të shtyjë seancën më 22 nëntor me qëllim shqyrtimin e dokumentacionit.

Alket Hatija u arrestua më 8 korrik të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga drejtësisë italiane për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të lëshuar nga Gjykata e Apelit në Milano në vitin 2015 për veprën penale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” me qëllim ekstradimin e tij, por që u la i lirë nga gjyqtari Petraq Çuri, duke i dhënë masën detyrim paraqitje, me argumentin se në dosjen e Hatijas mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria e çoi çështjen në Gjykatën e Apelit, duke paraqitur si provë edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për qëllime ekstradimi.

Alket Hatija u arrestua për herë të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi akuzohej se ishte pjesë e një organizate kriminale kriminale në drejtim të trafikimit të qindra kilogramë heroinë në Itali.

Çështja u transferua në Shqipëri për gjykim, ku pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: