TIRANË- Marko Bitraku aktor i mirënjohur shqiptar është ndarë sot nga jeta pasi nuk mundi të përballonte më sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej kohësh.

Teatri Kombëtar i shpreh ngushëllimet familjes së aktorit korçar, ndërsa nesër dyert e tij do jenë të hapura për homazhe. Mësohet se homazhet për aktorin Bitraku do të zhvillohen nga ora 12:00-14:00. Rreth orës 14:00 aktori do të përcillet në banesën e fundit.

Marko Bitraku ka lindur në 15 Janar të vitit 1951 Lavdar të Oparit të rrethit të Korçës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1974 fillon punën si aktor profesionist në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Në skenën e këtij teatri do të interpretojë me dhjetëra role të cilat do ta bëjnë të njohur për publikun artdashës. Këtu mund të përmendim interpretimet e tij në rolin e Bomarshesë në komedinë “Berberi i Seviljes” e Bomarshesë apo rolin e Hajnit në dramën “Franku i V-të” i Dyrrenmat. Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Jovan Bregut në komedinë “Jovan Bregu, refugjat” e Adelina Balashit.

Më vitin 2008 ai do të realizojë edhe regjinë e monodramës “Velloja e bardhë” e Odise Plakut. Në kinematografi ka interpretuar më se 13 role. Roli i tij i parë do të jetë në filmin televiziv “Flamur në dallgë” në vitin 1977. Më tej do të vazhdonin role të tjera si ai Komandantit të Xhandarëve në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Selmanit në filmin “Asgjë nuk harrohet” në vitin 1985, rolin e Rushkës në filmin “Njerëz në rrymë”, rolin e Samiut në filmin “I dashur armik” në vitin 2004 etj. Interpretimi më i fundit i aktorit Marko Bitraku është në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.

ROLET NË FILMA
•Kronikë provinciale (2009)
•Mysafiret (2009)
•Dhimbja e dashurise (2008) serial
•I dashur armik – (2004) …. Sami
•Parullat – (2001) ……….Gjini
•Njerëz në rrymë -(1989)
•Dasem e çuditëshme – (1986)
•Fjalë pa fund – (1986)
•Asgjë nuk harrohet – (1985)….Selman Hivziu
•Mësonjëtorja – (1979)
•Gjeneral gramafoni – (1978)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: