Dy të rinjtë e akuzuar për “gjobitjen” me 10 mijë euro të një biznesmeni në Tiranë, nën kërcënime të nënshkruara me mbiemrin “Shullazi”, u shfaqën të penduar dje në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Të dyshuarit Altin Valisi dhe Durim Dervishi kërkuan ndjesë para gjykatës për veprimet e kryera. Ata shpjeguan se nuk kishin pasur qëllim t’i bënin keq biznesmenit, por vetëm të përfitonin shumën e parave. Pendesa e të rinjve 21 dhe 19 vjeç nuk ka ndikuar në vendimin e gjykatës, e cila caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.

Të arrestuarit nga operacioni policor i koduar “Last Nigt” u paraqitën në gjykatë gjatë orëve të paradites së djeshme. Në dy seanca të njëpasnjëshme të zhvilluara me dyer të mbyllura, ata kërkuan një masë më të butë sigurie se “arresti në burg”.

Burime pranë Gjykatës bënë me dije se i dyshuari Altin Valisi ka rrëfyer pendesë për SMStë kërcënuese të dërguara në numrin e biznesmenit. Shenja pendese ka shfaqur dhe 19- vjeçari Dervishi, i cili ka pranuar shoqërimin e Valisit, por jo që të kishte dijeni për gjobën.

Pretendimet e të arrestuarve dhe avokatëve të tyre mbrojtës janë kundërshtuar nga ana e përfaqësuesit të prokurorisë në sallën e gjyqit. Para gjyqtarit të gatshëm Dritan Hallunaj, prokurori ka paraqitur kronologjinë e mesazheve kërcënuese të dërguara në numrin personal të biznesmenit Piro B. Në këto SMS, nga një numër i panjohur për biznesmenin, atij i kërkohej dorëzimi i 10 mijë eurove.

Në të kundërt, dërguesit i thoshin se do ta vrisnin atë apo ndonjë prej familjarëve të tij. Në një nga SMS-të e tjera, biznesmenit i thuhej se në rast se nuk do të kryente pagesën “ta merrte vetë me mend se çfarë mund t’i ndodhte”.

Referuar SMS-ve të administruara si provë, si edhe thënieve të biznesmenit, mesazhet e mbërritura në telefonin e tij mbylleshin me emrin “Altin Shullazi”. Ata nuk kanë pasur asnjë lidhje me Emiliano Shullazin, por kanë përdorur mbiemrin e tij për të frikësuar biznesmenin.

Sipas prokurorit, të arrestuarit Valisi dhe Dervishi kishin njohje me biznesmenin e kërcënuar preh tyre, për shkak se blinin produkte në biznesin e tij.

Përfaqësuesi i akuzës ka pohuar se SMS-të kërcënuese janë dërguar nga një numër telefonik i blerë në tregun e zi dhe se fillimisht është identifikuar një familjar i tyre. Sipas prokurorit, nga provat e siguruara deri në këtë fazë të hetimit kishte prova të mjaftueshme për të ngritur dyshime se të akuzuarit kanë konsumuar elementë të veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për marrjen e pasurisë”.

Prokurori i kërkoi gjykatës lënien e tyre në paraburgim, kërkesë që u pranua prej saj./panorama/
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb