Ata që thërrisnin fitore në 30 korrik, kur Parlamenti i cunguar votoi ndryshimet kushtetuese për të hapur listat, sot ishin viktima. Vetëm 2 muaj u deshën për të kuptuar që fitorja nuk ishte e atyre, që listat e hapura dhe demokratizimi i zgjedhjeve nuk mund të dhuroheshin nga një njeri që nuk bën zgjedhje në parti prej 11 vjetësh. E shikonin Edi Ramën që po prishte marrëveshjen e 5 qershorit dhe nënshkruanin pro prishjes së saj, një marrëveshje tjetër, me naivitetin e viktimave të mashtrimit që nuk e besojnë kurrë se u ka ardhur radha.

Një pjesë ishin aq naivë. Votimi me 97 vota tregoi se të tjerët ishin thjesht përfituesit nga thesi i pakursyer që po mbushet prej korrupsionit dhe zbrazet në shërbim të kapjes së shtetit. Krundet e opozitës shërbyen sot për gatimin e fundit të një shefi që u servir helm atyre që i besuan detyrën.

Shërbyen megjithatë për të ekspozuar gënjeshtrën me të cilën Rama prishi marrëveshjen e 5 qershorit. Pa u tharë firma e Damianit, nxitoi t’u thoshte garantuesve të marrëveshjes se nuk i kishte votat për ta votuar dhe i duhej një marrëveshje tjetër, me opozitën parlamentare. Votimi i sotëm e shpalli me shumicë absolute mashtrues të dëmshëm, marrja në kontroll e rregullave të lojës, vetëm sa e evidentoi si humbës, lufta e pandershme që po bën në kapjen e institucioneve zgjedhore, po e shenjon si grabitës që duhet ndaluar përpara se të jetë vonë.

Ishte fundi i një tufe gënjeshtrash. Të mikluar deri dje, me komplimente si opozitë e përgjegjshme, si opozita e vërtetë e vendit, si politikanë me të cilët ia vlen të debatosh, sot u përballën me të vërtetën e hidhur. Ai që i miklonte kur i duheshin, që i takonte përpara kamerave për negociata të vështira që prishnin 5 qershorin, sot u thoshte se janë aksidentalë, se u ka rënë bingo, se nuk përfaqësojnë asgjë, nuk kanë vota dhe nuk mund të jenë përfaqesues të popullit. Sot e kuptuan edhe ata se Edi Rama di ta thotë edhe të vërtetën, pasi i keqpërdori për 1 vit e gjysmë si zëvendësues opozite dhe për 4 muaj si vrasës të procesit zgjedhor.

Nuk ka lista të hapura, nuk ka koalicione. Nëse do të ishte modeli kroat, listat nuk do të ndaheshin në dy pjesë të hapura pa komunikim me njëra-tjetrën, kandidatët do të ngriheshin në listë nëse do të merrnin një përqindje fikse në bazë të qarkut, pragu do të ishte më i ulët për minoritetet. Është vetëm një kostum i qepur për mandatin e tretë, të një kryeministri lakuriq, është shpresa e fundit për pushtet të përjeshtëm, është kërcënimi më i rrezikshëm që u bëhet zgjedhjeve që pas 26 majit 1996.

Eshtë vetëm një nga masat që po merr Edi Rama për të kufizuar koalicionet e kundërshtarëve. Së shpejti do të ndryshojë statusin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Ata nuk do të jenë më të paprekshëm nga kontrolli i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe as nuk do të kufizohen për tu ngritur në detyrë për të shkuar në Gjykatën e Lartë. Dy ndryshime që janë depozituar në Kuvend nga Ministrja e Drejtësisë dhe anëtarët e komisionit të ligjeve, që në përfshijnë shkopin dhe karrotën për ata që marrin vendimin e formës së prerë për zgjedhjet.

Gjendjet civile të qytetarëve po zhvendosen pa i pyetur, sipas vullnetit të Ministrisë së Brendshme, që shfrytëzon regjistrin elektronik të Gjendjes Civile për të bërë llogari elektorale. Vetingu në polici promovon besnikët korruptuar të partisë dhe largon policët e ndershëm.  Eshtë e qartë që opozita nuk mund ta ndalë prishjen e zgjedhjeve. Duke u kujdesur që të mos duket në sytë e zgjedhëesve si qaramane dhe e pashpresë për fitoren, PD i depoziton ankesat tek ndërkombëtarët, që dështuan për herë të dytë si garantë në Këshillin Politik. Një dështim i paralajmëruar, që vetëm sa riktheu opozitën për të legjitimuar ndryshimet kushtetuese të njëanshme.

Pra as ndërkombëtarët nuk mundën ta ndalonin Edi Ramën të kërcënojë zgjedhjet. As nuk mund ta ndalojnë t’i prishë. Timonieri i vetmuar nuk e lëshon timonin, nuk i shkel frenat, na con me shpejtësi drejt humnerës./dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: