NGA: KLODJANA HAXHIAJ
Është autor i dy librave me poezi dhe i një romani dhe ka vetëm një muaj që ka dalë nga burgu. Ndihet i trazuar në udhëtimin e ditëve, pasi ka humbur thuajse gjithçka që kishte ngritur me djersën e ballit. Ndërsa, herë pas here i duket krejt e pabesueshme që përfundoi në qeli pas një sherri banal në lokalin e tij dhe se përdori një kallashnikov, të cilin e mbante në banesë që nga ’97-ta, kohë kur ishte ende fëmijë. Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Gentian Dodaj, me origjinë nga Mirdita dhe banues në plazhin e Durrësit.

I riu u lirua nga burgu pasi përfitoi nga amnistia që zbatoi qeveria për të gjithë të dënuarit të cilëve iu kishin mbetur pa vuajtur më pak se dy vjet heqje lirie, apo që ishin dënuar për vepra të lehta penale. Dodaj qëndroi 5 muaj e 11 ditë në burgun e Durrësit, ndërsa gjykata e kishte dënuar me 2 vjet e 4 muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje. Teksa ka fituar lirinë dhe është kthyer pranë bashkëshortes dhe djalit të tij 7-vjeçar, i riu deklaroi dje për “Gazeta Shqiptare” se gjendet në udhëkryq, pasi është i papunë dhe nuk ka me se të mbajë familjen e tij. Ndërkohë, 30-vjeçari u shpreh se nuk ka kryer krim, përkundrazi, tentoi të shmangte një ngjarje kriminale dhe se mëkati i tij i vetëm është se mbante një armë pa leje.

HISTORIA E ISH-TË BURGOSURIT
Një armë, të cilën e mbanin në banesë që nga viti i mbrapshtë ’97, ka çuar në qeli Gentian Dodajn. I riu, sqaroi dje se për kryerjen e kësaj vepre penale u dënua nga gjykata e Durrësit. Sipas tij, gjykata veproi me dy standarde, pasi personin tjetër me të cilin ai u konfliktua nuk e dënoi, madje nuk mori asnjë masë konkrete. Ngjarja ndodhi më 3 gusht të vitit 2016 në zonën e ish-Kënetës. “Kam qenë për disa kohë emigrant në Greqi dhe më pas u ktheva në Durrës. Hapa një lokal në zonën e ish-Kënetës kundrejt të gjitha detyrimeve ndaj shtetit. Por, një mbrëmje, një prej banorëve të zonës erdhi në lokal dhe goditi me shufër hekuri në kokë një prej klientëve që ishte ulur aty. Menjëherë lajmërova policinë e Durrësit, por kur pashë se sherri u bë masiv (u përfshinë edhe persona të tjerë), mora kallashnikovin që e mbaja pa leje dhe qëllova në ajër për të zmbrapsur palët. Pas kësaj, përfundova në qeli, koshient se do të vuaja dënimin. Ndërsa, shkaktari i kësaj ngjarjeje u konsiderua i pafajshëm nga gjykata”, – tha Dodaj.

Ai u shpreh se, që nga ai moment jeta e tij mori kthesë tjetër dhe se burgu i shkatërroi biznesin e gjithçka tjetër. “Më shumë sesa paragjykimi i njerëzve, më vret fakti se burgu më rrënoi. Pasi fitova lirinë, shkova te Zyra e Punës dhe kërkova punë, sepse pas ngjarjes e kisha mbyllur lokalin, pavarësisht se qiranë dhe taksat e tatimet i kisha paguar edhe për një vit tjetër. Unë nuk bëra asnjë vepër të turpshme. Nuk besoj se nuk po më marrin në punë se kam qenë në burg, mbase për ndonjë akuzë tjetër edhe mund të kishte ndikuar. Por, e vërteta është se nuk po gjej punë, ndërsa e kam dhe gruan të papunë. Pra jemi në udhëkryq”, – pohoi 30-vjeçari, i cili kur ishte emigrant në Greqi ka punuar si bodyguard dhe hekurkthyes, ndërsa ka studiuar për 5 vjet për fenë në Athinë.

MESAZHI
Gentian Dodaj është autor i tre librave, dy me poezi dhe një romani, të cilët trajtojnë jo vetëm histori personale, por edhe jetën e emigrantëve në përgjithësi. “Që i vogël shkruaja, botova tre libra, dhe vijoj të shkruaj. Në vitin 2012 botova librin e parë me poezi ‘Në frymëzimin e vetmisë’, dhe më pas librin me poezi ‘Fantazi, ëndrra me kod’. Gjithashtu kam botuar edhe librin e tretë autobiografik ‘Tragjedia e Mentorit’. Dua të botoj dhe librin e katërt sapo të më jepet mundësia”, – tha Dodaj. Ndërkaq, ai ka një mesazh për të rinjtë. “Nuk e kisha menduar kurrë që mund të bija në burg. Nuk e kisha menduar kurrë se do e përdorja armën që mbaja në shtëpi që kur isha fëmijë. Mentaliteti është që duhet të kesh një armë e t’i dalësh zot vetes, sepse shteti nuk të del për zot. Shteti të del për zot pasi je vrarë ose kur ka mbaruar puna. Edhe kur kërkon drejtësi, nuk ke se kujt t’i drejtohesh, sepse drejtësia në vendin tonë është me dy standarde. Mos e shkelni ligjin, mos mbani armë, sepse përballja me ligjin dhe burgu, është më e vështirë sesa e mendoni!”, – deklaroi ish-i burgosurit.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: