Partizani u ka dhënë fund shpresave për të siguruar një vend në Europë me humbjen 2-0 përballë Egnatias në Rrogozhinë, pasi ka mbetur matematikisht edhe jashtë Final Four. Një dështim me pasoja të rënda, pasi lë të kuqtë pas shumë vitesh përsëri pa praninë në arenën ndërkombëtare.
Dhe këtë radhë, dështimi është katastrofik, pasi ka shkatërruar punën e 5 viteve të fundit të të kuqve që kishin rritur ndjeshëm koeficientin e tyre europian, duke e çuar në 7,5. Kjo përkthehej me të paktën dy ture në vazon e skuadrave të forta në shortin e Ligës së Konferencës dhe ishte një mundësi e mirë që klubi të kishte një fushatë të suksesshme në Europë, në aspektin sportiv dhe ekonomik.
Por gjithçka është shkatërruar me një sezon të ideuar gabim që në start me ndryshime të vazhdueshme trajnerësh e strategji merkatoje, me afrime e largime lojtarësh si dhe kulmuar në fund me shkarkimin e Kërnajës pak javë para mbylljes së edicionit në të cilin ai i kishte dhënë pak shpresë ekipit se mund të shpëtohej diçka.
Një dështim kolosal, i cili do të ketë pasoja në të ardhmen për Partizanin. Kjo, pasi viti me koeficient 0 nga pjesëmarrja në Europë, do të ulë ndjeshëm atë të përgjithshmin edhe nëse kthehet në arnën ndërkombëtare që në sezonin e ardhshëm, duke lënë një gropë e cila do të trashëgohet edhe në edicionet në vijim e nisur thuajse gjithçka nga e para për të kuqtë. Gjithmonë nëse në planet e tyre është kthimi në Europë…
