Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, sqaroi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, gjithë procedurën që ndiqet për kryerjen e analizës së koronavirusit, si dhe sa kushton kjo analizë. Bino tha se analiza kushton 150 mijë lekë të vjetra, që mbulohen nga shteti, ndërsa shtoi se për kryerjen e saj fillimisht merren mostrat në azën faringale të hundës ose gojës, mbase edhe të gjakut ose më pas edhe të feçes, që dërgohen tek ISHP, ku nis procesi i vlerësimit të tyre, deri në daljen e rezultateve.

Pjesë nga intervista:

Jeni shprehur se janë të gjitha kapacitetet për kryerjen e analizave, si është një proces i kryerjes së kësaj analize?

Dua ta nis që nga fillimi, procesi i marrjes së mostrës. E rëndësishme është identifikimi i këtyre personave, që i quani të dyshuar. Këta janë persona që kanë një ose dy shenja, apo histori, që mund të na bëjnë të mendojmë. Së pari kryhet një mostër në azën faringale e hundës ose e gojës, në disa raste edhe e gjakut, më pas mund të marrim edhe feçe, në bazë të të dhënave që do na jepen dhe testeve diagnostike që dalin. Marrim këtë mostrën dhe e transportojmë në kushtet e duhura të transportit. Ne përdorim të njëjtin transport si për gripin, në mënyrë që ai të ruhet në kushtet e duhura. Mostra vjen pranë ISHP dhe nis procesi i vlerësimit të mostrës, nëse është e duhura, nëse është e derdhur, e prishur. Procesi zgjat shumë pak, mund të zgjasë një orë, në varësi të numrit të mostrave. Aktualisht kemi një njeri që me shumë rigorozitet e shikon këtë. Mostrat që nuk vlejnë ne i kthejmë dhe marrim prapë mostër, kur mendojmë se nuk është marrë mirë.

Ku merren këto mostra?

Ne shikojmë nëse kanë qeliza. Mostrat i marrin mjekët, ndihmësepidologët, dhe vijnë te ne.

Aktualisht janë dy raste… ku po qëndrojnë këta persona?

Mostrat kanë ardhur në këtë mënyrë. Këta persona janë të vetëizoluar.

Sa besim keni te vetëizolimi?

Kam besim, se në të kundërt këta persona do të ishin shtruar në spital. Pra, kryhet një vlerësim. Ne kemi një armatë të tërë punonjësish të shëndetit publik, që janë mjekë epidemiologë, ndihmës-epidemiologë, që kanë mbaruar shëndet publik ose shkenca të tjera dhe që janë trajnuar, që janë shumë rigorozë dhe të kujdesshëm. Këta bëjnë një vlerësim, në bashkëpunim me mjekun e familjes apo mjekun e spitalit, sipas rastit, nëse rasti ka nevojë të shtrohet apo ka shenja të lehta, që s’ka nevojë të shtrohet, dhe vë atë maskën në shtëpinë e tij dhe rri në vetëizolim. Nëse nuk do të kishte mundësi, ne do të kryenim shtrimin në spital, sipas shenjave.

Si është ky vetëizolim?

Ai duhet të rri në një dhomë, sepse kemi të bëjmë me një person që ka disa shenja të sëmundjes. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk kërkojnë shtrim në spital, mund të marrin kujdesin në shtëpi.

Qytetarët thonë se s’ka se si të dalë koronavirusi te në, për sa kohë bëhen aq pak analiza… Mos ndoshta një analizë më e gjerë …

Ne jemi pjesë e një rrjeti botëror. Ne zgjeruam rrjetin, në mënyrë që të merrnim më tepër mostra, pasi nuk mund të marrësh mostra kot më kot.

Jemi me dy analiza në ditë…

Jo dy, se mund të bëhen 15. Ne punojmë 24 orë. Ne presim të testohen këta, dhe ritestojmë sërish.

Ruajtja për mos transmetimin e virusit në kufi duket se nuk është shumë rezultative…

Asnjë virus nuk ndalohet në kufi. Shqipëria 50 vjet mbylli kufijtë. Edhe më 1989, virusi i fruthit u fut dhe infektoi mijëra vetë. Masat në kufi janë marrë për të rritur këtë, janë marrë edhe mostra në kufi, por numri i tyre është i vogël, sepse një pjesë e njerëzve mund të mos kenë temperaturë dhe e kanë më pas.

Cilat janë protokollet që jep OBSH?

E rëndësishme për shërbimin kufitar është kur kemi të dhëna që personi ka udhëtuar me një person tjetër të prekur. Menjëherë nga lista që marrin në kufi kryejmë hetimin e rastit. Është e pamundur të ndalojmë virusin në kufi. Protokolli i OBSH është që ne duhet të gjurmojmë personat që kanë pasur kontakt me një person të prekur dhe e kemi bërë këtë.

Tek analizat që merrni, a është e kushtueshme kjo analizë?

Është e kushtueshme, sepse ti merr primerat, është analizë molekulare dhe ke pastaj kitin e pisiarit, pra është analizë e kushtueshme, por e përballueshme për shtetin.

Konkretisht?

Nuk mund të jap shifër. Edhe na vijnë me donacion një pjesë e primerave, sepse kemi marrëdhënie bashkëpunimi, pasi janë disa marrëdhënie që kryhen në lidhje me primerat, sidomos për sëmundjet e reja. Ka laboratorë të caktuar, si në Berlin, në SHBA, me të cilët kemi një marrëveshje, dhe natyrisht ne blejmë pjesën tjetër, që është e rëndësishme. Analiza mund të shkojë deri në 150 mijë lekë të vjetra dhe e gjitha mbulohet nga shteti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb