Në emisionin ”Real Story” të Sokol Ballës në News24 janë diskutuar mbrëmjen e sotme çështjet lidhur me raportin e Freedom House, Reformës në Drejtësi apo luftës politike ndër vite.

Vasjari u përqëndrua tek pushteti gjyqësor për të cilin tha se nuk është shkopi magjik që mund të zgjidhë luftën politike pasi nuk ndalon dot një opozitë të dalë nga Kuvendi apo një kryeministër të shkojë pa opozitë në zgjedhje.

Lela nga ana tjetër cilësoi si dy elementët më problematikë në raportin e Freedom House, korrupsionin dhe gjyqësorin. Referuar po këtij raporti gazetari shqiptar nga Brukseli tha se në Shqipëri demokracia nuk ka rënie, por nuk ka fare demokraci.
Ndër të tjera edhe Gjergji Vurmo komentoi situatën politike duke vënë në pah edhe sindromën e mandateve por edhe shkatërrimin e balancave mes pushteteve prej ndryshimeve kushtetuese në 2008.

 

ARJAN VASJARI: E vetmja gjë që unë kam thënë disa herë nuk duhet të ndërtojmë kurrë gjykimin se demokracia është vetëm pushtet gjyqësor. është 1 nga 3 pushtetet. Në një demokraci hibride është i rëndësishëm por nuk është shkopi magjik që shuan luftën politike, që shuan frikërat politike, nuk zgjidh daljen e një opozite nga parlamenti apo një kryeministër që bën zgjedhje pa opozitë.
Nuk kemi pasur një pushtet gjyqësor të pavarur. Nuk mjafton të jesh një prokuror apo gjykatës i mirë. Në fillim të kësaj reforme ka qenë ndarja e gjyqësorit nga politika.
Janë disa sjellje latente që synojnë të kapin disa qeliza të pushtetit gjyqësor. Ky është shqetësimi im dhe i një njeriu që bindet se është bërë një Reformë në Drejtësi dhe që mos lejojmë politikën të influencojë dhe të kapë gjyqësorin.

ALFRED LELA: Unë dua të them që atë që ja kërkojmë klasës politike 30- vjeçare nuk ja kërkojmë dot Reformës në Drejtësi 3 mujore. Duhet të shohim provat, është ende herët. Do të donim që mekanizmi të funksiononte më shpejt.
Nëse flasim më shumë për opozitën atëhere atë rënie të lehtë, mesatare apo brutale për FH duket se ja faturojmë opozitës që tani ka çelësat e kashtës.
Nuk e përjashtoj mundësinë që akse të ndryshme në opozitë me leva pushteti të ri apo të vjetër të kenë frymëzuar apo shfryrë radikalitetin e lëvizjes si një platformë kundërshtimi ndaj Reformës në Drejtësi. Nuk mund të përjashtoj as lë pa përmendur një paradoks që e sundon dilemën politike prej 2014 kur Reforma në Drejtësi çeli vezën e parë. Si ka mundësi që opozita është e shqetësuar që një Reformë Drejtësie e re, e pakapur, amerikaniste, europeiste dhe nuk është shuar pushteti. Ja njohim kundravajtjet që janë dhe në raportin e FH, janë korrupsioni dhe gjyqësori. Pse shqetësimi është i ish- pushtetit dhe jo i pushtetit aktual.

GJERGJI VURMO: Duket sikur gjithë debati shkon tek opozita por në gjykimin tim ka 6-7 vitet e fundit të mazhorancës që do të trembnin më shumë këtë mazhorancë për Reformën në Drejtësi. Mazhoranca ka numër të konsiderueshëm përfaqësuesish për zullumet që kanë bërë dhe që duhet të trembeshin.
Në një demokraci rëndësi duhet ta marrë balanca midis pushteteve. Për t’iu rikthyer, balancat duket se janë prishur shumë më herët, 10- 12 vite. Dhe ndoshta mund të shohim ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe që prekën ato pak balanca.
Balancat e pushteteve të shkatërruara apo ato ekzistuese që nuk mund të luajnë rolet e tyre. Pastaj është edhe sindroma e dy mandateve.

ALBI XHUNGA: Drejtësia është gardian i demokracisë dhe s’mund të jetë e fortë nëse s’ka drejtësi të fortë. Për raportin e FH, mund të them që në Shqipëri nuk ka demokraci fare. është e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Të dyja këto nuk respektohen në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb