Janik Siner fiton Madrid “Open 2026” dhe shkruan një kapitull të ri në historinë e tenisit. Fitorja e pastër 6-1, 6-2 e italianit ndaj Aleksandër Zverev në fushën me dhe të kuq të “Manolo Santana Stadium” i mundëson numrit 1 në botë të bëhet lojtari i parë në histori që fiton pesë turne radhazi të kategorisë “Masters 1000”.

Një dominim i paprecedentë, që nuk u arrit as nga legjenda si Roxher Federer, Novak Xhokoviç dhe Rafael Nadal.

NDESHJA – Finalja Siner-Zverev nis menjëherë nën shenjën e dominimit të italianit. Numri 1 në botë i rrëmben shërbimin kundërshtarit që në “game”-in e dytë. Gjermani shfaq vështirësi të mëdha dhe gabime të rënda, duke i hapur rrugën Sinerit drejt setit të parë, teksa Zverev i pëson një tjetër “break” dhe brenda pak më shumë se një çerek ore e gjen veten në disavantazh 4- 0. Zverev shfaq nervozizëm dhe dorëzohet shpejt, ndërsa pa shumë përpjekje, Siner mbyll setin 6-1 për vetëm 25 minuta.

Italiani e kupton se kundërshtari është në konfuzion të plotë dhe vazhdon të shtypë “gazin” edhe në setin e dytë. Siner i merr sërish shërbimin tenistit nga Hamburgu dhe kalon në avantazh 3-1, duke orientuar përfundimisht edhe setin e dytë. I pakapshëm në shërbim dhe i pamëshirshëm në kthim, numri një i botës nuk lëshon asnjë hapësirë, teksa realizon “break”-un e katërt në ndeshje dhe shkon në 5-2.

Për të vulosur gjithçka, italiani zhvillon edhe një “game” perfekt në shërbim, duke e mbyllur takimin me rezultatin 6- 2 në vetëm 58 minuta. Siner fiton kështu “Madrid Open 2026” dhe bëhet lojtari i parë në historinë e tenisit që triumfon në pesë “Masters 1000” radhazi. Para suksesit në Madrid, italiani kishte fituar gjithashtu në Paris, Indian Uells, Majemi dhe Monte Karlo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: